Transmetuar më 11-01-2021, 12:24

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kryeministri Edi Rama tha se vaksinimin do ta bëjnë fillimisht personat që janë në vijën e parë të betejës anti-Covid.

Ai theksoi se vaksinimi nuk është i detyrueshëm për qytetarët, por siguroi se është falas. Sipas tij, procesi do të nisë në orën 15:00 të pasdites në brendësi të ambienteve të ish-stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë.

Rama zbuloi se vaksinën do ta bëjë mes personave të parë në vend, për të treguar se është e sigurt dhe për të dhënë mesazh ndërgjegjësues tek qytetarët.

“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin që vaksina jo vetëm është e sigurt dhe për t’ju thënë të gjithë se dokrrat me çipa apo transformim të ilirëve në aziatik janë qesharake. Siç e kanë bërë edhe kolegët e mi, do ta bëj edhe unë. Meqë  kemi një grup konspiracioni të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale, do ta bëj siç e kanë bërë kolegët jashtë dhe nuk do të dëshiroja që t’i zija rradhën askujt, por do ta bëj sot vetëm për këtë arsye”, tha Rama. /e.a/noa.al/