Transmetuar më 11-01-2021, 09:35

Një banesë ka rënë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e "Bilbilave", ku tre persona të maskuar kanë grabitur banesën e kambistit të identifikuar si Shefqet Muço.

Dy prej tyre kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të lekëve, ndërsa i treti është arrestuar, pasi raportohet se u përlesh me të zotin e shtëpisë e për pasojë mbeti i lënduar.

Për kapjen e tij në vendngjrje, kanë ndërhyrë edhe forca të policisë, të njoftuar nga fqinjët.

Një prej tyre ka treguar se si ka ndodhur ngjarja në Korçë, teksa zbulon edhe detaje për përleshjen që kambisti ka pasur me një nga autorët.

“Pashë vetëm një që Shefqeti e kishte vënë poshtë, Shefqeti i gjakosur këtej, gruaja e goditur, djali i tij ka ndrydhur dorën, unë vajta vetëm sa ia hoqa nga dora. I vajti tjetri me pistoletë, i tha ‘lëshoje’, Shefqeti i tha, ‘nuk e lëshoj, më vrit’. E pashë me doreza autorin, për të mos e vrarë fare e hoqa Shefqetin, lëre se vjen policia… E kanë goditur Shefqetin te koka, iu gjend e gjithë lagjja në ndihmë”, tregon ai, sipas ‘Report Tv’.

Një tjetër fqinj tha se doli jashtë sapo dëgjoi ulërimat dhe i dha ndihmë të zotit të shtëpisë pasi ishte i gjakosur.

“Dëgjova ulërima, dola nga shtëpia, erdha i pashë. Ishte gjakosur i zoti i shtëpisë”, rrëfen ai. /e.a/noa.al/