Transmetuar më 11-01-2021, 08:34

Tre persona dyshohet se kanë grabitur nën kërcënimin e armës një sasi lekësh në banesën e kambistit me iniciale Sh. M.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 1 , në rrugën e “Bilbilave” në qytetin e Korçës.

Policia thotë se një nga autorët është arrestuar dhe aktualisht ndodhet për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij janë larguar.

Nga ana e policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /e.a/noa.al/