Transmetuar më 10-01-2021, 15:39

Ministri i Jashtëm i Greqisë ka pohuar në një intervistë për median “Kathimerini”, se mosmarrëveshjet për detin do të zgjidhen në gjykatë ndërkombëtare.

Nikos Dendias ka folur prerë kur tha se vendimi për t’u shtrirë me 12 miljë në det është një e drejtë ndërkombëtare dhe e panegociueshme.

“Projektligji do të votohet menjëherë. Duhet të mos e nënvleftësojmë rëndësinë që ka. Ky zgjerim i kufijve sovranë të shtetit grek, i pari nga 1947, në mënyrë paqësore dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare, është e drejtë e panegociueshme e vendit tonë.

Por, që të jem i qartë, ne po përgatitemi për zgjerim edhe në zona të tjera të vendit. Po hedhim hapat e duhura teknikë, që të jemi gati kur të konsiderohet koha e duhur të veprojmë. Se kur do të ndodhë kjo, mbetet një vendim politik", tha ai.

MPJ grek foli dhe për ndarjen e kufijve detarë që ka mbetur pezull prej vitesh:

"Të gjitha forcat politike shqiptare janë dakord se çështja e përcaktimit të zonave detare midis dy vendeve duhet të zgjidhet në bazë të të Drejtës Ndërkombëtare të Detit, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë”, ka thënë kreu i diplomacisë greke".

Ai ka folur edhe për takimin me Kryeministrin Edi Rama, pak ditë më parë në Athinë.

“Me kryeministrin shqiptar kemi një marrëdhënie bashkëpunimi të sinqertë, tashmë. Unë pata mundësinë të bisedoja gjerësisht me të për të gjitha çështjet bilaterale dhe rajonale, si gjatë vizitës sime në Tiranë dhe gjatë vizitës së tij në Athinë.

Për çështjen e rekursit në Hagë, ekipet përkatëse teknike po vazhdojnë punën e tyre. Qëllimi është që premtimi i përbashkët të nënshkruhet dhe të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, mendoj pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në Prill”, u shpreh Dendias, pa qartësuar se për çfarë premtimi bëhet fjalë dhe që sipas tij duhet të firmoset nga Athina dhe Tirana zyrtare. /k.k/noa.al/