Transmetuar më 10-01-2021, 12:19

Situata e rënduar për shkak të reshjeve në vend vijon prej ditësh, duke shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme.

Bëhet me dije se kryeministri Edi Rama do të vizitojë sot Shkodrën. Ai fillimisht u ndal në Lezhë ku pa nga afër situatën. Më tej kreu i qeverisë do të vizitojë Shkodrën dhe zonën e Obotit, ku rreth 880 Ha sipërfaqe e tokës bujqësore është përmbytur.

Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha ka udhëtuar drejt Shkodrës këtë të diel për të parë nga afër situatën nga përmbytjet, e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut.

Kreu i opozitës ka takuar banorët për të mësuar shqetësimet që kanë, ndërsa në Shkodër deri tani janë 1595 hektarë tokë nën ujë.

Aktualisht, mbetet ende e bllokuar rruga e Obotit për mjetet e ulëta pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm. Ndërkohë në Dajç për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat.

Mbetet për t’u parë se kë zona do të vizitojnë liderët e dy partive kryesore dhe nëse do të ketë ndonjë takim mes tyre, për situatën e krijuar nga përmbytjet./a.m/NOA.al