Transmetuar më 10-01-2021, 11:57

Ish-deputetja Nada Meçorapaj ishte sot në segmentin e rrugës në Borsh, e shembur pas reshjeve të para në zonë.

PD përmes ish-deputetes Nada Meçorapajt denoncoi rrugën që u ndërtua në verë me paratë publike, por  u shemb.

Meçorapaj tha se kjo nuk është pasojë e tërmetit.

“Rruga e çarë në dysh nuk është  pasojë e ndonjë tërmeti, por e korrupsionit të kësaj qeverie. Janë rreth 14 milionë euro që Edi Rama i jep kompanisë Salillari për të mirëmbajtur aksin e Jugut, por në vendngjarje është vetëm 1 punëtor dhe asnjë përpjekje për rregullim. Banorët janë të shqetësuar çdo orë të ditës”- tha ish deputetja.

Meçorapaj duke iu referuar rrugës së çarë në dysh tha se kryeministri Edi Rama nuk mban asnjë premtim.

“Pak reshje shiu dhe vjedhja e qytetarëve del në sipërfaqe, duke nxjerrë gjendjen e rëndë të keqqeverisjes, abuzimit, vjedhjes, korrupsionit.  Asgjë e mirë nuk mund të ndodhë me Edi Ramën në krye të qeverisë. Kemi edhe 105 ditë për të bërë ndryshimin”- u shpreh ish deputetja Nada Meçorapaj./a.m/NOA.al