Transmetuar më 10-01-2021, 09:57

Teksa vendi po përballet me përmbytje dhe shumë familje ndodhen në vështirësi, raportohet në media se ministrat Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, janë filmuar në një prej restoranteve më të shtrenjtë të Dubait.

Dy ditë më parë, ministrat morën pjesë online në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave dhe folën për situatën e përmbytjeve që ka përfshirë gjithë vendin.

Sipas denoncimit, ministrat raportuan sikur ishin në Tiranë dhe thanë se situata është nën kontroll, por në fakt ata ndodheshin në Dubai.

Nuk ka pasur asnjë përgënjeshtrim deri tani lidhur me këto pretendime nga ana e ministrave.

Arben Ahmetaj, ministri i Covid dhe i tërmeteve, si dhe Balluku, ministre e Infrastrukturës, janë interpretuar në forma të ndryshme edhe në rrjetet sociale, lidhur me pretendimet e ngritura se ata këto ditë ndodhen në Dubai, për arsye që nuk dihen.

Siç shihet dhe nga video e publikuar nga rrjeti i restoranteve “Nurset”, që njihet për specialitetin e mishit dhe çmimet shumë të kripura, disa nga ministrat ndodhen në Dubai. Nuk bëhet me dije nëse kanë shkuar atje për pushime, apo për punë./a.m/NOA.al