Transmetuar më 09-01-2021, 22:34

Sulmuesit i Liverpulit, Mohamed Salah, që ka lindur në fshatin veri-perëndimor të Nagrig në Egjipt, në asnjë rast nuk e ka harruar vendlindjen.

Madje, 28-vjeçari egjiptian, jo pak herë ka siguruar donacione për të përmirësuar sadopak jetën e tyre.

Akti i tij i fundit i bamirësisë, ka ardhur përmes Shoqatës së Bamirësisë Nagrig, të cilën ai themeloi në vitin 2017, pasi u bë i vetëdijshëm se shumë persona po vdisnin për shkak të mungesës së oksigjenit në spitalet shtetërore.

Drejtori i NCA, Hasan Bakr tha në një stacion radiofonik në Kajro:

“Salah dhe familja e tij kanë dhuruar bombola oksigjeni për Spitalin Qendror Basyoun, për të ndihmuar pacientët që vuajnë nga koronavirusi në Nagrig. Ai shpesh ndërhyn për të ndihmuar në zgjidhjen e ndonjë problemi në vendlindjen e tij në Egjipt.”

Në prill të vitit të kaluar, Salah ka dhuruar shumë ndihma ushqimore për familjet në Nagrig, së bashku me këshillat se si duhet të mbrohen nga koronavirusi.

Pastaj në verë, nëpërmjet një donacioni tjetër, ai ka ndërtuar edhe një qendër për ndihmën e shpejtë mjekësore.

Salah gjithashtu ka ndihmuar për ndërtimin e një shkolle fetare dhe të një instituti kombëtar që lufton kundër kancerit.