Transmetuar më 09-01-2021, 17:45

E zonja e një qeni ka caktuar një shpërblim të majmë për kthimin e këlyshit të saj, i cili u rrëmbye nga një grup vjedhësish të armatosur.

E rrahën duke e lënë me fytyrë të enjtur e me gërvishtje, por humbja e qenit duket se është edhe dhimbja më e madhe, që po përjeton, pas ngjarjes.

Sipas medieve amerikane, vajza e tmerruar deklaroi se ishte ndaluar me armë nga vjedhësit e qenit të saj, një “bulldog” francez pesë muajsh , që ajo e quajti, Chloe.

Sarah Vorhaus nga San Francisco, në SHBA, ka ofruar një shpërblim prej $2,000 për kthimin e qenit.

30-vjeçarja tha se vjedhësit po e ndiqnin dhe i  kishin ulëritur “më jep qenin”.

Kur ajo u kthye ata e goditën disa herë në fytyrë, ndërsa një prej banditëve mbante në dorë një pistoletë.

Ata më pas morën këlyshin, e futën në makinën e grabitjes dhe u larguan. Sarah kishte mbetur me buzë të çarë, një sy të nxirë dhe të tjera shenja dhune.

Ajo tha për rrjetin ABC7 se kishte thërritur për ndihmë dhe një kalimtar më pas kishte thirrur ambulancën. Zonja Vorhaus thotë se është e dëshpëruar të ketë përsëri Chloe, shëndoshë e mirë.

“Nuk bëjmë asnjë pyetje, paguajmë gjithçka, nuk duam të dimë çfarë ndodh me ata, duam vetëm të kthehet Chloe.” Policia tha se ka nisur hetimet për grabitjen e denoncuar./a.m/NOA.al