Transmetuar më 09-01-2021, 15:33

Në vitin 2050 planeti do të presë mbi 2 miliardë njerëz mbi 60 vjeç, një realitet që kërkon mbrojtje dhe politika të përshtatshme shëndetësore.

Njerëzit jetojnë më gjatë në të gjithë botën dhe pritshmëritë mesatare, tani shkojnë mbi moshën 60 vjeç.

Në këtë mënyrë, OBSH vlerëson se deri në fund të dekadës së ardhshme, numri i të moshuarve do të jetë rritur me më shumë se gjysmën, duke kaluar kështu nga 962 milionë, në 2017 në 1, 4 miliardë në vitin 2030. Për më tepër, deri në vitin 2050, popullsia e moshuar në botë do të arrijë në 2.1 miliardë njerëz.

Është në vendet në zhvillim që numri i njerëzve të moshës 60 vjeç e lart, vlerësohet të rritet më shpejt. Midis vitit 2017 dhe 2050-të, ky segment i popullsisë botërore që jeton në vendet në zhvillim, pritet të dyfishohet nga 652 milionë në 1.7 miliardë.

Sidoqoftë, në vendet më të zhvilluara, shifrat flasin për një rritje, nga 310 milionë në 427 milionë. Në vitin 2050, pra, gati 80% e popullsisë së moshuar në botë do të jetojë në vendet në zhvillim.

Rritja më e shpejtë te njerëzit mbi 60 vjeç, pritet në Afrikë, Amerikën Latine, Karaibe dhe Azi. Dhe ashtu si me Covid 19, tregohet se njerëzit e moshuar, për shkak të ndryshimeve fiziologjike që shoqërojnë plakjen, janë më të prekurit dhe më të ekspozuarit ndaj sëmundjeve.

Për këtë arsye, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shpallur periudhën 2021-2030 "dekadë për pleqërinë në gjendje të mirë shëndetësore".

Dhjetë vitet e ardhshme duhet të jenë një mundësi për bashkësinë ndërkombëtare për të investuar dhe vepruar në një mënyrë të bashkërenduar dhe të qëndrueshme për të promovuar plakjen e shëndetshme, raporton Noa.al, duke cituar agjencinë e lajmeve Ansa.

Sipas OBSH, bëhet fjalë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të integruara dhe të përqendruara tek personi dhe bazat shëndetësore, të përshtatura për nevojat specifike të të moshuarve.

"Ne duhet të sigurojmë që të moshuarit dhe grupet e tjera potencialisht të prekshme, të mos lihen pas", thekson OBSH, duke iu bërë thirrje qeverive të marrin masa që sigurojnë një jetë të shëndetshme dhe mirëqenie për këtë kategori. /e.a/noa.al/

Foto: Ansa