Transmetuar më 07-01-2021, 15:55

OPINION nga Edmond Arizaj

Pjesa më e bukur e këtyre ditëve dhe javëve të fundit, është fshehja e atyre që të nxirrnin sytë për Trampin, këtu në Shqipëri e kam fjalën.

Bënin sikur e donin aq shumë, flisnin me aq pathos, sa mendoje se ADN e tyre kishte pak nga T, nga R, nga A e nga P e Trampit.

Sot janë zhdukur nga qarkullimi. Sipas “historisë” shqiptare, presin të mbarojë ky gjëmimi në qiellin e hapur amerikan, jo dhe aq i papritur, dhe të ridalin me ndonjë tezë të re për ta mbrojtur.

Krejt njësoj si ata pallat që çdo 21 dhjetor “parashikojnë” nga një fund bote, pa thënë kurrë “ndjesë” më 22 dhjetor.

Po jo vetëm këta lloj ricikluesish delirantë e vanitozë kanë faj. Edhe gazetarët që i bëjnë pjesë të publikut kanë faj.

Jo pse i ftojnë, sepse njerëzit kanë nevojë edhe të qeshin me marrinë e njerëzve të tjerë.

Por minimumi duhet t’i përballin me deklarimet e tyre, me qëndrimet, me bastet që kanë hedhur, me premtimet që kanë bërë.

Sepse kur je njeri publik, apo meton të jesh i tillë, kur do vëmendje, pëlqime, përkrahje e mbështetës, duhet edhe sadopak përgjegjësi për qëndrimet, për anesitë dhe sidomos për parashikimet.

Nëse thua mbi dy herë nesër bie shi, ndërkohë që shkëlqen Dielli, më mirë shko pri dru dhe lerja metereologjinë profesionistëve.

Madje Trampi si rrallëkush, nuk kishte hiç nevojë për parashikim, sepse e kishte thënë e paralajmeruar çdo gjë vetë prej gjashtë muajsh.

Le ta kenë si përvojë si vëllezërit; përpara se të merren me banjën e të tjerëve me themele 300 vjeçare, më mirë të shohin halenë e tyre që e kanë (kemi) ende me kompesata druri./a.m/NOA.al