Shuhet aktori i njohur i skenës dhe filmit shqiptar, Xhemi Tagani
Transmetuar më 04-01-2021, 10:04

Një ndër aktorët e njohur të skenës, radios dhe ekranit është ndarë nga jeta.

Xhemil Tagani ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare.

Si ndër pak njerëz të artit në moshë të thyer, Tagani ishte aktiv me postimet e tij në rrjetet sociale.

Shtëpia funerale Alba njoftoi se varrimi i të ndjerit bëhet sot ora 16 në varrezat e Tufinës, raporton noa.al.

Tagani ishte protagonist edhe i emisionit radiofonik "Heroizmi i Popullit Tone ne Shekuj".

Xhemil Tagani u lind më 6 shkurt të vitit 1945, është aktor i njohur shqiptar.

Kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, në 1967. Pas diplomimit filloi punë si aktor pranë Teatrit Popullor, më 1968. Ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare, ku si më të arrirët përmenden : Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave në skenën e Teatrit Popullor.