Transmetuar më 02-01-2021, 14:27

Vaksina kundër COVID-19, është çështja e ditës kudo e padyshim edhe në Shqipëri. Të sigurosh këtë vaksinë, duket të jetë e vështirë sidomos për vendet e varfra si ne. Ca më keq kur aleancat që bëjmë pjesë, as ua ndjen të të përgjigjen.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka siguruar 509 mijë vaksina, ndër të cilat 500 mijë nga Pfizer dhe 9 mijë nga dy shtete të tjera. Një lajm i mirë pas përpjekjesh të forta.

Por këto njoftime shoqërohen me disa pikëpyetje dhe paqartësi.

Së pari, nuk ka një marrëveshje të bërë publike dhe as termat e saj.

Ç’është më e rëndësishmja, nuk dihet dhe nuk thuhet kur do vijnë ato. U tha vetëm se në janar do vijnë 10 mijë e ca doza. E në shkurt nja 30 mijë të tjera.

Vetëm personel shëndetësor janë 27 mijë njerëz. Pastaj janë mbi 39 mijë arsimtarë dhe 18 mijë forca policore.

E po ashtu janë 600 mijë pensionistë që presin të vaksinohen. Ndërsa nuk ka të dhëna zyrtare se sa njerëz hyjnë te kategoritë e riskut.

Lind pyetja. Përse kaq pak në tremujorin e parë të vitit 2021. Si mundet që të vijnë kaq pak doza dhe nëse ky është ritmi, për sa kohë do të vijnë ato? Mos vallë me këtë ritëm do të duhet të presim edhe dy vjet?

Për më tepër nuk dihet as nga do të vijë vaksina. Do të vijnë ato që po prodhohen nga Pfizer në Belgjikë e vende të tjera jashtë Amerikës, apo direkt nga prodhimi primar në SHBA.

Një tjetër pyetje që mbetet pa përgjigje është: A kemi mundësi të ruajmë deri në shpërndarje, vaksinat, pasi ato duan ruajtje deri në -80 gradë. Mos vallë sasia e vogël që vjen lidhet me çështje kapacitetesh?

Nga ana tjetër nuk deklarohet se sa flakonë me vaksina do të sjellë Pfizer. Sepse pakkush e di që një flakon, sipas standardit që ka përcaktuar Pfizer, përgatit 5 doza vaksine. Kjo do të thotë që me një flakon vaksinohen 5 njerëz me dozë të parë.

Por në Itali ka shpërthyer një debat pasi disa institucione po e ndajnë në 6 doza flakonin duke u hedhur pikëpyetje për efektivitetin e saj.

Lind pyetja sa doza do të nxjerrë Shqipëria nga një flakon vaksine?

Ndërkohë nuk thuhet sa lekë janë paguar për këto vaksina. Sa është kostoja për flakon dhe sa për një dozë.

E po ashtu, lind pyetja tjetër: A do të marrin dozën e dytë brenda 21 ditëve, apo shqiptarët do të presin me javë? Sepse nuk është çudi të ndodhë kjo. Në Britaninë e Madhe, po kërkohet që doza e dytë të jepet pas 12 javësh që të mund të marrin dozë të parë sa më shumë njerëz. Por askush nuk del garant a bie efektiviteti i vaksinimit nga këto vonesa, në kushtet kur shkencëtarët që i prodhuan, përcaktuan dy doza brenda tre javësh.

Një tjetër pyetje që lind, është, përse nuk publikohet grafiku dhe përfituesit sipas renditjes, të shqiptarëve që do të marrin vaksinën.

U tha nga kryeministri se të parët do ta marrin punonjësit e shëndetit, arsimit dhe policisë si dhe moshat mbi 75 vjeç.

Lind pyetja, po moshat e tjera të thyera? Po kategoritë e riskut pse u lanë jashtë nga përfituesit e parë?

Po ashtu asgjë nuk dihet se si do të vijojë shpërndarja.

Një tjetër pyetje që lind, është: A do të ketë vaksina në farmacitë private ashtu siç ndodh me të gjitha vaksinat e tjera? A do ti pengojë shteti kompanitë miliardere të barnave që të importojnë këtë vaksinë dhe ta shesin në Shqipëri? Kjo pyetje shtrohet në kushtet kur janë bërë disa marrëveshje nga korporata farmaceutike me prodhuesit e vaksinave, korporata që shesin prodhimet e tyre edhe në Shqipëri.

Gjithashtu ka të tjera pyetje të rëndësishme. A ka një plan Qeveria që të sensibilizojë shqiptarët për ta marrë vaksinën? Sepse sondazhe që po bëhen vazhdimisht, tregojnë një shumicë shqetësuese të qytetarëve që shprehen kundër marrjes së kësaj vaksine.

Dhe në fund? Kur pret qeveria që të sigurojë vaksina për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe a ka menduar edhe për emigrantët tanë?

Këto pyetje që shtron Noa.al do të presin përgjigjet nga Qeveria. /noa.al