Transmetuar më 30-12-2020, 17:44

Është ndarë nga jeta një nga studiuesit më të njohur të Elbasanit dhe vendit tonë.

Mehmet Çeliku, autor i mbi 200 librave dhe studimeve, ndërroi sot jetë.

Lajmin e trishtë e bëri fillimisht të ditur faqja zyrtare e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale si dhe ish-deputeti i zonës, Luçiano Boci.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, e konsideron ikonë të ndershmërisë dhe një shkencëtar të vërtetë Mehmet Çelikun.

Prof. Dr. Mehmet Çeliku, gjuhëtar i shquar dhe titullar i disa lëndëve gjuhësore, ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare.

Ai vuante nga ishemia.

Çeliku ishte bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave dhe ish-rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

Njoftimi i universitetit “Aleksandër Xhuvani”:

“Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Mehmet Çeliku.

Për më shumë se gjysmë shekulli, Prof. Dr. Mehmet Çeliku dha kontribute të çmuara në arsimin e lartë në Shqipëri. Ishte një nga gjuhëtarët më të shquar në shkallë vendi dhe më gjerë. Ai konsiderohet si “rilindësi” modern i shekullit të XXI në këtë fushë.

Personalitet, idealist, shkencëtar, ai ishte pasues i mendjeve të ndritura të Gjuhës Shqipe si Konstandin Kristoforidhit, Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt etj”.

Reagimi i Luçiano Boçit:

NË NDERIM TË NJË SIMBOLI

Mehmet Çeliku, profesori im i dashur dhe i shumë brezave, ka ndërruar jetë.

Nuk e di sa Gjuha, së cilës i shërbeu me aq devocion, do ta shprehë si duhet dhimbjen për ikjen e tij.

Prof. Dr. Mehmet Çeliku ishte shkencëtar i mirëfilltë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në gjuhësi. Ai nuk e ndali prodhimtarinë shkencore asnjë moment, megjithë tronditjet që i rezervoi fati jetësor.

Profesori “i rreptë” i Sintaksës, por i dashur me të gjithë, formësoi ndër vite me mijëra studentë dhe pedagogë, të shpërndarë kudo në Shqipëri e në trevat shqiptare, të cilët morën nga ai pasionin për punën dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

Rektori “i fortë” më vendimmarrësi i Universitetit të Elbasanit, në vitet që e drejtoi i riktheu atij famën e Normales dhe imponoi për këtë institucion nder dhe respekt.

Deputeti “i urtë” me mençurinë e elokuencën e tij tipike , që dëgjohej me vëmendje nga të gjithë krahët, shpalosi dhe parashtroi ide dhe vizione bashkëkohore për vendin dhe politikën.

Ikonë e ndershmërisë, e punës së palodhur, e shkencëtarit tipik, e njeriut të përkushtuar ndaj familjes,  e qytetarit model, Met Çeliku, ka lënë gjurmë të pashlyera ndaj kujtdo që ka punuar me të, e ka njohur dhe e ka takuar.

Profesori ynë i dashur nuk do jetë më midis nesh, por për ne do jetë përherë frymëzim dhe simbol i të jetuarit me nder e respekt.

Lamtumirë profesor, bashkëpunëtor, mik.

I lehtë dheu e i ndritshëm shkëlqimi i parajsës.

Fjalët për ty duhen të gdhenden me të arta, sepse të artë e doje ti Gjuhën Shqipe, profesionin dhe jetën. /a.m/ NOA.al