Transmetuar më 30-12-2020, 14:44

Vaksina ruse kundër koronavirusit "Sputnik V" mbërriti sot në Serbi. Kontingjenti i parë u dërgua në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak”, në Beograd.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë, Mirsad Gjerllek, tha se kanë arritur 2,400 doza.

"Nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, më është thënë se, për një ditë ose dy, pritet certifikata për përdorim, kështu që aplikimin e vaksinës "Sputnik V" mund ta presim menjëherë pas Vitit të Ri. Leja do të na mundësojë të marrim sasi dukshëm më të mëdha gjatë janarit", tha Gjerllek.

Ai po ashtu tha se nga 4 janari, sipas dinamkës së parashikuar, vaksinat "Pfizer/BioNTech" do të arrijnë në nivel javor,  nga 20,000 doza.

"Aktualisht, kemi dy vaksina në dispozicionin tonë nga prodhues të ndryshëm. Të dyja janë me cilësi të jashtëzakonshme dhe të sigurta", tha Gjerllek.

Vaksina "Pfizer/BioNTech" është krijuar nga një kompani farmaceutike amerikane dhe një gjermane.

Më 22 dhjetor, Serbia ka konfirmuar se ka pranuar kontingjentin e parë me 4,875 doza të vaksinës "Pfizer/BioNTech".

Dy ditë më vonë, ky vend ka nisur vaksinimin, me kryeministren Ana Brnabiç, ndër të parat, që ka pranuar dozën e parë.

Gjerllek ka thënë më herët se autoritetet serbe janë duke zhvilluar bisedime intensive edhe me kinezët, për importin e vaksinës së tyre. /REL/

Foto: Rel