Transmetuar më 28-12-2020, 13:02

Komisioni Evropian, ka miratuar paketën prej 70 milion euro për vaksinat e COVID-19, në Bashkimin Evropian.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, Oliver Varhelyi nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Twitter” bën me dije se do të vijojë mbështetja për vaksinat.

“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne e trajtojmë Ballkanin Perëndimor si partnerë të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke marrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të prekshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit.

Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e BE me gjashtë prodhues.

Ndërsa BE vazhdon të mbështesë iniciativën COVAX, struktura e botës për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19 dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE.

Aksesi në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE do të lejojë që rajoni të fillojë vaksinimet paralelisht me shtetet anëtare të BE.