“Pse, pse të gjitha këto të këqija janë bërë e po bëhen në Shqipëri e Kosovë?” – Nga Rexhep Qosja
Transmetuar më 25-12-2020, 15:42

Nga Rexhep Qosja 

Kjo vepër i kushtohet pakënaqësisë, mund të thuhet, madje, dëshpërimit që ka populli shqiptar sot ndaj politikës së brendshme të oligarkisë politike të Shqipërisë dhe të Kosovës, e cila të këqijat e shumta dhe dështimet e rënda po përpiqet t’i fshehë pas politikës së jashtme.

Pse mund të thuhet kështu? Në politikën shqiptare të fundit të shekullit njëzet dhe të fillimit të shekullit njëzet e një, përpos një numri të vogël individësh, do të gjenden shumë mendje të ngushta me pak a aspak kulturë politike, me pak a aspak mendje historike, me pak a aspak dije për organizim shtetëror, me pak a aspak qartëpamje për sfidat e së ardhmes, kurse disa prej tyre edhe me jetëshkrime politike pothuaj të komprometuara për gjendjen, qëllimet dhe vlerat e kohës së re.

Liria me të cilën na ndriçoi fillimshekulli premtues, prej pushtetarëve të ndryshëm do të kuptohet në mënyra shumë të ndryshme, duke e dëshmuar atë mençurinë e të urtëve evropianë se lirinë më lehtë e fitojmë se ç’dimë ta përdorim. Në këtë fillimshekulli për shumëçka nuk kemi menduar kur do të duhej të kishim menduar, prandaj shumëçka nuk do të dimë, që do të duhej tashmë ta dinim.

Nuk kemi menduar se, siç e kanë thënë të tjerë para meje, liria mund të shfrytëzohet në mënyra të ndryshme prej njerëzve të ndryshëm: prej dikujt shfrytëzohet në radhë të parë për shprehje të lirë të mendimit; prej dikujt në radhë të parë për të fituar pasuri; prej dikujt në radhë të parë për të krijuar karrierë politike pavarësisht me çfarë mjetesh; prej dikujt për të penguar ngritjet e të merituarve dhe të diturve; prej dikujt për të urrejtur; prej dikujt në radhë të parë për të gënjyer e prej dikujt për të sharë e për të fyer të madh e të vogël, burra e gra!

Dhe për shumëçka tjetër. Nuk kemi ditur se demokracia, sidomos ajo e shtetit që nuk është bërë ende shtet i së drejtës, por i shtetit që është ende shtet i pushtetarëve, që shtetin e shikojnë pafytyrshëm si shtëpinë e tyre private, demokracia bëhet e pafuqishme ndaj shumë të këqijave.

***

Nuk kemi ditur dhe, natyrisht, nuk kemi pritur se tribunat e quajtura demokratike do të mund të jenë të pushtuara jo vetëm për diskutime të kulturuara, të argumentuara, me të cilat paraqiten dhe mbrohen e drejta dhe e vërteta, por edhe për ulërima parahistorike të disa prijësve partiakë, të cilët për të mirën e përgjithshme mendojnë sa për borën e parvjetme!

***

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se sovrani – populli shqiptar nuk do të mund të bëjë asgjë, bash asgjë, për të penguar primitivizmin, arrogancën, pangopësinë, korrupsionin, nepotizmin e klasës politike dhe plaçkitjen e

vjedhjen e pasurisë kombëtare nga ana e saj! Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se partitë politike në vend se forca politike, që mendojnë se si dhe se sa do ta ndryshojnë për të mirë shoqërinë, do të bëhen firma që mendojnë se sa do të pasurohen vetë dhe se sa do të pasurohen udhëheqjet e tyre!

***

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se klasa e mesme, pa mendjen e së cilës asnjë shoqëri dhe asnjë shtet nuk mund të gjejë as gjedhen e duhur të qeverisjes së sotme, as të ardhmërisë vërtet premtuese, do të jetë kaq e shpërfillur, madje, kaq e mosduruar prej klasës politike, prej klasës politike të pajisur pamoralshëm me magjistratura e me doktorata në sajë të mjerimit shpirtëror të pjesës së korruptuar materialisht dhe moralisht të kësaj shtrese të mesme!

***

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se pushtetarë të rendit të parë pushtetar do të shfrytëzojnë korrupsionin e nepotizmin për interesa të ndryshme vetjake, do të zhvasin pasuritë kombëtare, do të bëjnë uzurpime të ndryshme, do të shfrytëzojnë konfliktin e interesit e, megjithatë, do të mbesin të pandëshkuar e të pandëshkueshëm si cezarët në Perandorinë Romake e despotët në despotitë orientale! Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se edhe mbas turpit me të cilin e kishin shënuar përgjithmonë veten Esat Toptani dhe Ahmet Zogolli duke i falur tokë kombëtare e sovranitet kombëtar pushtuesit serb dhe malazez, do të kemi aq pushtetarë, dhe aq çerekintelektualë, dhe aq çerekakademikë, që pa aspak brejtje të ndërgjegjes do t’i falin Greqisë tokë e dete të Shqipërisë e do t’i falin Malit të Zi tokë të Kosovës, duke cenuar kështu jo vetëm pasuritë natyrore po edhe sigurinë e tyre!

***

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se oligarkia politike e Kosovës do t’i shpallë të vjetruara pas tre vjetësh krimet ekonomike dhe krimet e bëra me konflikt të interesit dhe do t’i shpallë ashtu, të vjetruara, për të shpëtuar vetë, me trabantët e vetë, prej ndëshkimeve prej të cilave ligjet e demokracisë kurrë s’do t’i lenin të shpëtojnë.

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se Njëmendësia jonë do të jetë e shënuar, o sa dëshpërueshëm: prej përmbysjes intelektuale, prej mjerimit ekonomik dhe prej rënies morale, që do t’i nxisin shqiptarët më masivisht se kurrë në historinë e tyre që të kërkojnë shpëtim në Botë!

***

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur që ish të burgosurit politikë, aq vetëflijues dikur, do të heshtin siç po heshtin, kryevarur, do të bëhen të shurdhër siç po bëhen, kryevarur, ndaj ë këqijave të shumta, të gjithfarëllojshme, ndaj padrejtësive, ndaj shpifjeve, gënjeshtrave, mashtrimeve, korrupsionit, nepotizmit, krimeve të ndryshme politike dhe materiale të oligarkisë së sotme politike të Kosovës!

Kanë harruar të thonë çka është tepër e rëndësishme të thuhet sot: Mjaft më! Por…? Por…? Por…?

Por tani po shihet se larg më të shumta se ato shpresat që kemi ditur dhe se ato shpresat që kemi pritur janë ato të këqijat për të cilat as nuk kemi ditur as nuk kemi pritur se do të na dalin, se do të shumohen siç janë shumuar në këtë Njëmendësinë tonë! Pse, megjithatë, të gjitha këto të papritura, të gjitha këto të këqija janë bërë e po bëhen, kanë ndodhur e po ndodhin në Kosovë dhe në Shqipëri? Pse? Pse? Pse? Pse? – do të provoj të tregojë në krerët vijues të librit.

*Fragmente nga parathenia e librit “Pushteti i korruptuar – protagonistet dhe viktimat”, 2016./a.m/NOA.al