“Revolta e kalamajve që donin të digjnin Tiranën. Pse Basha nuk po e pranon marrëzinë Berisha-Meta” – nga Spartak Ngjela
Transmetuar më 24-12-2020, 15:43

OPINION Nga Spartak Ngjela

Ja, këtu ka ardhur çështja shqiptare sot:

Ose një Shqipëri e pushtuar nga korrupsioni i lartë shtetëror që ndërron çdo tetë vjet portat për të sunduar dhe shkatërruar Shqipërinë dhe shqiptarët;

ose një forcë antikorrupsion, e ngritur kundër tyre sipas kushtetutës së vitit 2016 dhe të gjithë legjislacionit pasues, që do të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët.

E pra, kjo është e vërteta, dhe, brenda saj, pyetet: kush do ta ushtrojë këtë forcë në zbatim të ligjit në fuqi? Dhe, cila forcë do të jetë garanti i shqiptarëve në këtë kohë?

l.

Tanimë të gjithë shqiptarët e dinë se tre janë organet që do të drejtojnë luftën ligjore dhe me një proces të rregullt ligjor, kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri: Gjykata e Posaçme, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Kurse garanti moral i shqiptarëve, dihet  se kush po është: është politika amerikane me përfaqësuesen e vet në Tiranë, Yuri Kim.

Në fakt, beteja ka filluar, por ajo që po vihet re është fakti se, korrupsioni i të dy krahëve të politikës tani është bashkë. Dhe të gjithë shpresën e ka pasur në Moskë dhe në Beograd.

Pikërisht në këtë kohë, elita korruptive shqiptare, dallon se është disi e trembur. Kjo po ndodh, sepse korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar e vlerësonte dhe kishte shpresë shumë te afrimi i presidentit amerikan Trump me Moskën. Por, fitorja e Joe Biden-it në Amerikë i ka shokuar. Në të vërtetë, frenimi që politika Trump i bëri çështjes së Kosovës, i dha shumë shpresë korrupsionit shtetëror në Tiranë se çështja shqiptare në Ballkanin Perëndimor nuk do të vijonte ashtu si nisi.

II.

Është fitorja e Joe Biden-it ajo që ka hedhur në një sulm absurd "revolucionar" edhe Berishën, edhe Metën, me mendimin naiv që mund të krijojnë pështjellim shoqëror, për ta çuar vendin drejt shkatërrimit. Rasti i fundit me revoltën e kalamajve shqiptarë që donin të shkatërronin me zjarr Tiranën, ishte komedia mbyllëse e hallit të madh Meta-Berisha.

Asgjë nuk bëjnë dot, dhe sot fakti më domethënës e kuptimplot është aktiviteti intensiv i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.

Ajo tani me shumë ngulm po ecën drejt formimit të dy organeve të rëndësishëm në luftën antikorriosion: Gjykatën Kushtetuese dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Por, në të njëjtën kohë, dallon fakti që tani është i përditshëm se, të gjithë krerët e korruptuar të të tre partive kryesore, janë bashkë; dhe mendjen e kanë për destabilizimin e Shqipërisë.

Më të zjarrtë, për nga pasioni i dëshirës për shkatërrimin e Shqipërisë, dallojnë të jenë Meta dhe Berisha. Por, si komedi hedhin rëndom edhe idenë e një "revolucioni" infantil që askush nuk di se si dhe pse do të bëhet. Fakti që flasin për një revoltë të gjerë popullore pa motiv, kuptohet se psikika e tyre është jashtë kohës.

Nuk ka më fatkeq se lideri të cilin nuk e pranon koha e tij!

Por, pikërisht këtu del edhe kjo pyetje: po Lulzim Basha?

Dallon që Basha nuk po iu përgjigjet. Kurse Saliu, nuk e lëviz dot këtë nga kryetar të PD-së, SEPSE e ka parë, që, në këtë rast, Basha është një e keqe më e vogël, në krahasim me ndonjë tjetër, i cili mund të dalë nga një zgjedhje e re që do të zhvillohej në PD.

Gjithsesi, po kuptohet që Basha sikur nuk e pranon marrëzinë Berisha-Meta për destabilizimin e Shqipërisë, sepse edhe Yuri Kim nuk e kërkoi kot në takim.

E gjithë kjo situatë, brenda pështjellimit politik që trajtuam, ka bërë që kjo çështje të përqendrohet në një pikë: tek ambasadorja Yuri Kim.

Pikërisht për këtë, nga aktiviteti i saj me një personalitet të veçantë, gjithçka po shpejtohet. Dje u arrit kuorumi i Gjykatës Kushtetuese, kurse tani shqiptarët po presin nga ambasadorja që, me autoritetin e saj të krijojnë realisht edhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Kjo është domosdoshmëri që të fillojë hetimi dhe gjykimi i krimit shtetëror në Shqipëri.

Shqiptarët janë të lodhur dhe të tradhtuar nga liderët e vet që i grabitën dhe i shitën në 30 vjet. Dhe tani po e ndjejnë se pritja  e tyre po vjen drejt fundit dhe suksesit, për të pasur edhe ata shtetin e tyre të drejtë dhe që respekton, mbi të gjitha, dinjitetin dhe punën e qytetarëve të vet.  /a.m/NOA.al