“Dr. Drini Dobi, simbol i sakrificës, i humanizmit dhe i bluzës së bardhë”
Transmetuar më 19-12-2020, 08:43

NGA DR. MAKSIM BASHO

Kjo figurë e mjekësisë shqiptare dhe ikonë e bluzës së bardhë, lindi më 27 janar të vitit 1969, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. U rrit në një familje punëtore me pasuri të mëdha kulturash, traditash e virtytesh. Familja, për të cilën çdo gjirokastrit shfaq një respekt të veçantë sa herë që përmendet… Ka kryer studimet parauniversitare në qytetin e lindjes, pranë gjimnazit “Asim Zeneli”. Mes shumë e shumë intelektualëve të formuar në këtë gjimnaz, njëri prej tyre ishte edhe nxënësi ekselent Drini Dobi. Prova dhe fakti se edhe një vend i vogël si i yni mund të nxjerrë njerëz të mëdhenj, është vetë ai.

Gjatë periudhës kohore 1987–1992 ka kryer studimet e larta në degën “Mjekësi e Përgjithshme”. Dr.Dobi u specializua në Shërbimin e Neurologjisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në vitin 1998. Plotësoi arsimimin e tij prej vitit 2003- 2004, në masterin “Rehabilitimi fizik në Sëmundjen e Parkisonit”, duke vijuar më 2011 me titullin PhD pranë Departamentit të Neuroshkencave të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.

Doktor Drini nisi misionin e tij si mjek i përgjithshëm pranë spitalit “Omer NISHANI” në Gjirokastër, për të vazhduar më tej si mjek neurolog pranë Shërbimit të Neurologjisë së QSUT-së.

Me meritat më të plota dhe virtytet e rralla që ky njeri përfaqësonte,në vitin 2006 mori titullin e nderuar të “Pedagogut” në Fakultetet e Mjekësisë dhe Infermierisë. Ishte jo vetëm prind, mik e doktor i rrallë, por mbi të gjitha një nismëtar i diturive të reja, të cilat, me dëshirën dhe vullnetin më të madh, ua transmetonte brezave të ardhshëm.

Një njeri i madh, i cili pas çdo sakrifice, fillonte një të re gjithmonë në shërbim të mjekësisë, pacientëve dhe dijeve. Përpjekjet e tij për t’u ardhur gjithmonë në ndihmë njerëzve nuk reshtën kurrë. Gjatë një periudhe kohore të gjatë, prej vitit 1998 – 2011, arritjet e tij kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë. E kush më denjësisht se dr. Dobi mund të na përfaqësonte në konferencat dhe kongreset kombëtare e ato ndërkombëtare. Amerikë, Itali, Greqi, Austri, Hong Kong, Turqi, Angli, Republikën Çeke, Kanada, Belgjikë, Gjermani, Francë e Kroaci, ishin disa nga shtetet ku Drini la gjurmët e tij në fushën e neuroshkencave, duke u anëtarësuar si një specialist pranë:

Federatës Botërore të Neurorehabilitimit; Panelit të Neurorehabilitimit të Federatës Europiane të Neurologjisë; Panelit të Neurotoksikologjisë së Federatës Europiane të Neurologjisë; Shoqatës Ndërkombëtare të Çrregullimeve të Lëvizjes; Akademisë Amerikane të Neurologjisë.

* * *

Morëm lajmin e hidhur se “Drini na la”! Një ikonë e shekullit ku po jetojmë na la. Na le të gjithëve të kapluar në dëshpërim, ashtu siç ti asnjëherë asnjë, nuk doje të shihje. Unë jam një prej pacientëve të doktor Drinit, njëri prej atyre njerëzve të thjeshtë, të cilit i riktheve forcën, mendjen dhe shpresën. Ti shërove shumë plagë, por plagën e largimit tënd kush do të na e mbyllë doktor? Profesor! Jemi ne studentet e tu … Profesori që për gjithë këto vite, me dashamirësinë dhe përkushtimin e tij, mbushi çdo sallë auditori me dije dhe heroizma. Patëm nderin e madh të kishim përballë “Hipokratin”, që u shndërrua në idhull për këdo nga ne, për këdo që mësoi prej tij. E sidomos për ne, specializantët, bashkudhëtarët e tij që e mbyllnim ditën çdo herë e më të formuar, e kjo vetëm prej liderit tonë. Pavijoni, të cilit i kushtove jetën, tashmë do të mbetet gjithmonë i paplotësuar. Këshillat e tua do t’i zbatojmë akoma edhe më fortë, tani që nuk je më aty përditë mes nesh doktor. Ti ike, por kokën mbrapa mos e lër për asnjë pacient, ne jemi këtu për të të nderuar përjetë!

Nuk na ka ikur vetëm një mjek, një bluzë e bardhë. Nuk iku thjesht një koleg, por na iku një emblemë e mjekësisë shqiptare. Zoti mori prej mesit tonë, misionarin e rrallë të këtij vendi, misionarin që jetoi për mjekësinë dhe pacientët e tij.

Është i dhimbshëm fakti që humbëm një hero. Engjëlli me mantelin e bardhë është ngjitur për të pushuar në paqe, në parajsën e tij të përjetshme. Tani jemi të sigurt që ka dhe një “Zot” tjetër atje lart. Dr. Drini na dha një mësim të gjithëve se si mund të bëhesh “Zot” dhe nuk vdes kurrë./a.m/NOA.al