Transmetuar më 18-12-2020, 07:07

Banka e Shqipërisë për nevoja të plotësimit të vendeve vakante të punës, shpall për konkurrim vend të lirë pune në pozicionin e punës “Shoqërues fondesh” në Zyrën Logjistike, Sektori i Analizës dhe Logjistikës pranë Departamentit të Emisionit (DE).

Detyrat sipas përshkrimit të punës së pozicionit të lartpërmendur, ndër të tjera, përfshijnë:

•Zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive në procesin e shoqërimit të fondeve gjatë transportit të vlerave;

•Kontrollin gjatë marrjes në dorëzim të kolive, dhe mbajtja e përgjegjësisë për çdo dëmtim fizik, hapje apo prishje të elementeve të sigurisë të kolive me vlera monetare.

Ndër kriteret që duhet të plotësojë kandidati për pozicionin e lartpërmendur “Shoqërues fondesh” në Zyrën Logjistike, pranë DE”, janë si më poshtë vijon:

•minimumi arsim i mesëm i përgjithshëm ose profesional;

•aftësi komunikuese dhe integritet i lartë në raport me punën;

•aftësi për të punuar në grup, dhe njëkohësisht aftësi për të punuar nën presion;

•aftësi për të kuptuar propozimet dhe vendimet e çdo niveli drejtimi dhe për ti zbatuar ato;

•eksperienca profesionale në punë në veprimtari/fusha të ngjashme me pozicioni e punës përbën avantazh.

Dokumentet e kërkuara:

Kandidatët që do të aplikojnë për konkurrim duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme;

•Jetëshkrimi (Curriculum Vitae);

•Letër motivimi/interesi e cila përmban arsyet dhe pritjet e kandidatit i cili kërkon të punësohet pranë Bankës së Shqipërisë;

•Diplomë të shkollës së mesme dhe lista e notave;

•Dëshmi të ndryshme kualifikimi (në qoftë se ka);

•Deklaratë prezantuese/reference nga eprori i tij, punëdhënësi i fundit;

•Raporti i aftësisë në punë;

•Vërtetim nga prokuroria, gjykata dhe dëshmi penaliteti, ku të vërtetohet që nuk jeni i dënuar ose në ndjekje penale;

•Certifikatë e gjendjes familjare;

•Fotografi 2 (dy) copë;

•Fotokopje e kartës së identitetit;

Kandidatët mund të paraqiten çdo ditë pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të Bankës së Shqipërisë në adresën Sheshi Skënderbej nr.1 Tiranë për të tërhequr formën e aplikimit, ose mund ta shkarkojnë atë në link-un e mëposhtëm në faqen zyrtare të institucionit në internet që gjeni këtu.

Konkurrimi në Bankën e Shqipërisë bëhet në bazë të proçedurave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me tre faza:

1.Në fazën e parë, bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim dhe me gojë e cila konsiston në verifikimin nëse dokumentacioni i paraqitur nga çdo kandidat vërteton plotësimin e kërkesave të përgjithshme dhe të kërkesave specifike, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Vetëm kandidatët që plotësojnë këto kërkesa, i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit;

2.Në fazën e dytë zhvillohet testimi me shkrim:

1.për nivelin e njohurive te përgjithshme;

2.për nivelin e njohurive profesionale.

Në qoftë se rezultati i testimit me shkrim është nën nivelin minimal të përcaktuar, kandidati nuk kualifikohet për fazat e mëtejshme të konkurrimit;

3.Në fazën e tretë zhvillohet intervistimi me gojë i kandidatëve, i cili synon të evidentojë formimin e përgjithshëm si dhe vizionin personal mbi statusin dhe veprimtarinë e Bankës.

Dokumentacioni të paraqitet brenda datës 31.12.2020. Pas kësaj date nuk pranohet asnjë dokument.

•Kandidati, i cili dëshiron të konkurrojë, mund të paraqitet çdo ditë pranë Bankës së Shqipërisë, për t’u njohur me kriteret e vendeve të punës të shpallur për konkurrim dhe për të plotësuar kërkesën përkatëse sipas formatit të miratuar nga Banka e Shqipërisë;

•Dokumentacioni i kërkuar të dorëzohet në Bankën e Shqipërisë, i mbyllur në zarf me adresën përkatëse dhe të jetë i plotësuar sipas kërkesave të mësipërme.

(Kujdes: Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose fotokopje e noterizuar. Mosparaqitja e plotë e dokumentacionit sjell skualifikim të kandidatit).