Transmetuar më 17-12-2020, 19:44

Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në Gjermani.

Një shqiptar nga Kosova dyshohet se ka vrarë bashkëshorten, vajzën e më pas veten.

Tragjedia ka ndodhur sot në Isselburg.

“Sipas njoftimeve të para 51-vjeçari ka dashur të vrasë bashkëshorten dhe dy fëmijët. Para ngjarjes këtë mëngjes ai kishte njoftuar një të njohshëm, i cili më pas ka kontaktuar Policinë. Në apartament forcat e rendit kanë gjetur trupin e pajetë të bashkëshortes 46-vjeçare, vajzës 17-vjeçare. Vajza e dytë, 14-vjeçare, ka shpëtuar pa lëndime”, ka thënë kryeprokurori Martin Botzenhardt.

Autoritetet llogarisin se 51-vjeçari së pari ka vrarë bashkëshorten, më pas vajzën 17-vjeçare e pastaj ka varur veten, raporton Bild.

Vajza 14-vjeçare ka dhënë informacionet e para në lidhje me krimin. Dyshohet se motiv ishin kontestet e një faze ta gjatë të ndarjes së çiftit. “14-vjeçarja është stabile dhe po pyetet nga policia. Në ardhjen e forcave të policisë, vajza ishte në një dhomë që ishte mbyllur nga jashtë”, ka thënë Botzenhardt.