Transmetuar më 14-12-2020, 12:17

Kjo është historia e një fshati peshkatarësh dhe një thesari të papritur. Yolman Lares – shkruan New York Times – një mëngjes po kthehet nga banjoja publike në kasollen e tij prej teneqeje në fshatin Guaca në brigjet e Karaibeve të Venezuelës, kur sheh diçka që shkëlqen në breg. Pasi gërmon pak, ai sheh fytyrën e Virgjëreshës Mari që del nga rëra.

Nje mrekulli? Fshati Guaca dikur ishte i famshëm për peshkim dhe banorët e tij jetonin në paqe dhe prosperitet. Pastaj kriza ekonomike që goditi të gjithë vendin, mungesa e naftës dhe mbyllja e industrive të peshkimit, i la peshkatarët në mjerim. Në zbulimin e gurëve prej ari, shpresa është kthyer në mesin e dy mijë banorëve të Guacas.

Dhe kërkimi i thesarit ka filluar. Që nga fundi i shtatorit, janë zbuluar qindra bizhuteri prej ari dhe argjendi, zbukurime dhe copa që janë derdhur në breg, duke u ofruar fshatarëve një rritje të madhe të të ardhurave pas kolapsit në dukje ekonomik të Venezuelës.

Dikush gjeti një unazë ari, dikush një zinxhir, një tjetër një xhevahir, por në mesin e peshkatarëve ka edhe nga ata që arritën të grumbullojnë sende të çmuara me vlerë 1.500 dollarë.

Një ndihmë e madhe në një vend të mbingarkuar nga inflacioni. Askush nuk e ka zbuluar kurrë se nga erdhi ari dhe si përfundoi në plazhin e Guacas. Por tani, historia është bërë legjendë.

Vija e thyer bregdetare rreth Guacas, në gadishullin venezuelian të Parias, është e mbushur me gjire dhe ishuj që dikur ishin shtëpi për piratët dhe kanë strehuar gjithmonë aventurierë.

Ishte në këtë gadishull, në vitin 1498, që Christopher Colombi u bë europiani i parë që vuri këmbë në kontinentin e Amerikës së Jugut, duke menduar se kishte gjetur hyrjen në Kopshtin e Edenit.

Më pas, ky bregdet i mbrojtur dobët, u kthye në strehë për holandezët dhe francezët. Sot është një parajsë për trafikantët e drogës dhe karburanteve dhe piratët modernë, të cilët sulmojnë peshkatarët.

A kishte humbur thesari nga trafikantët të drejtuar në Trinidadin fqinj? Për javë të tëra në Guaca, teoritë ishin pa mbarim.

Kundërshtarët e qeverisë Maduro, kanë arritur deri atje sa të pretendojnë se ishte një lëvizje nga regjimi për ta mbajtur popullsinë të ushqyer dhe për të qetësuar protestat.

Sipas disave, dikush nga Karakasi, me siguri do të kishte ardhur për të konfiskuar thesarin. Sapo fotografia e parë e zbulimit u postua në Facebook, lajmi u përhap në të gjithë Venezuelën dhe frika ishte se një gjueti e vërtetë ari po ndodhte.

Megjithatë, zona e largët, mungesa e benzinës dhe kriza, e kanë mbajtur fshatin të sigurt. Dhe thesari "escondido", siç e quajnë peshkatarët, nuk është kthyer në një mallkim. Një provë kimike e porositur nga gazeta "New York Times", me një nga zinxhirët e artë të gjetur në plazhin Guaca, vërtetoi se copa ishte prodhuar ndoshta në Europë në dekadat e fundit.

Fshatarët pothuajse menjëherë i shisnin sendet e gjetura për të blerë ushqime. Para se të fillonte kriza ekonomike e Venezuelës në vitin 2014, Guaca dhe fshatrat përreth furnizuan Amerikën Latine me sardele të konservuara dhe ton peshku.

Sot, vetëm tetë nga 30 depot në zonë janë ende në punë; fabrikat e konservimit të tonit të drejtuara nga qeveria kanë falimentuar.

Mungesa e rëndë e karburantit këtë vit e ka kthyer krizën në një luftë të përditshme për mbijetesë për shumë fshatarë.

"Qeveria nuk kujdeset aspak për ne", shpjegoi José Campos, një peshkatar i sardeleve. "Ne vazhdojmë t’u japim atyre peshk dhe nuk marrim asgjë në këmbim".

Edhe sot, banorët e Guacas, herë pas here gjejnë objekte të vogla të arta në rërë. Lares, i cili zbuloi i pari sendet e çmuara, fitoi 125 dollarë nga ato që gjeti, shuma më e madhe që ai ka bërë ndonjëherë.

Me paratë, i riu gjithashtu bleu disa ëmbëlsira për fëmijët e tij, dhurata e parë në shumë vite. Pastaj, ai rregulloi një televizor të prishur dhe bleu një altoparlant që përdorej për të sjellë muzikë në kasollen e tij me një dysheme të ndotur.

Sigurisht, thesari nuk e ndryshoi plotësisht jetën e Laresit, por e bëri atë të mësonte se gjërat e mira mund të ndodhin, edhe në mes të vështirësive. "Nëse ndodhi një herë, – thotë Lares,  – do të ndodhë përsëri". /e.a/noa.al/