Transmetuar më 06-12-2020, 11:35

Polemika dhe debate në Serbi për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Televizioni serb “Nova S”, gjatë transmetimit ka publikuar një hartë të shtetit serb, ku Kosova nuk ishte e përfshirë.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në Beograd, pasi një veprim i tillë nga mediat televizive dhe ato ‘online’ është cilësuar si “skandal”.

Sipas raportimeve, ky televizion është përkrahës i opozitës në Serbi. Fotografia dhe raportimet në lidhje me këtë hartë të publikuar kanë bërë xhiro në rrjete sociale.

Mediat pranë presidentit Aleksandar Vuçiç, kanë sulmuar Dragan Gjilasin, kreun e opozitës serbe, si një njeri që po shet Kosovën dhe po bën kompromis me armiqtë e vendit.

Në rrjetet sociale, militantët pro-Vuçiçit, kanë reaguar duke riaktivizuar inatin dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve.

“Me këtë lëvizje, ata treguan si media e opozitës, qëndrimin pro-njohjes së pavarësisë së Kosovës. Një provë tjetër që opozita nuk dëshiron asgjë të mirë për Serbinë dhe po kërkon vetëm interesin e saj, edhe nëse do të duhej ta njohin Kosovën.

Turp dhe turp!”, shkroi "Informer", një tabloid që përkrah presidentin Aleksandër Vuçiç. /e.a.noa.al/