Transmetuar më 01-12-2020, 21:09

Ndodh  shpesh që në vendin tonë, fituesit të shpallen disa muaj, javë apo ditë para garës. Jo vetëm në festivale dhe evente muzikore. Por edhe ato nuk shpëtojnë nga ky “fenomen shqiptar”.

Pak ditë më parë, në media qarkulloi lajmi se këngëtarja Anxhela Peristeri është e përzgjedhura e jurisë për të përfaqësuar Shqipërinë në festivalin “Eurovision 2021”.

Lajmi u përgënjeshtrua nga drejtori i Festivalit të RTSH-së, Martin Leka.

Por lajmi i habiti të gjithë, aq sa Leka tha se është e pamundur që fituesi të shpallet para kohe, të paktën zyrtarisht.

Ka folur sot për pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Fundvitit dhe jehonën e madhe që ka bërë kënga e saj, apo fitorja e parakohshme, edhe vetë Anxhela Peristeri.

Anxhela u shpreh se gjithçka është publikuar në portale nuk është e vërtetë. Edhe për të lajmi ishte një “budallëk me brirë”.

“Nuk kam dashur të flas farë për këtë pjesë, pasi ishte një budallëk me brirë. Portalet duhet të kenë kujdes se nga i marrin lajmet, sepse ky lajm është marrë nga Facebook i një personi, që ka bërë një parashikim personal dhe më pas e kanë nxjerrë si një lajm zyrtar”.

“Nuk është aspak e drejtë. Ky person është shprehur se ka shumë kohë që bën parashikime të tilla dhe asnjëherë s’është bërë lajm. Mua më uruan disa persona dhe më pas kaloi”, tha Anxhela Peristeri.

Ajo tha se Eurovisioni është qëllimi i shumicës së këngëtareve që marrin pjesë në Festivalin e RTSH. Kujtojmë se një vit më parë u përfol se do të fitonte Elvana Gjata dhe në fakt fitoi Arilena Ara, në sekondat e fundit, pas një “përmbysje” që u konsiderua spektakolar, aq sa habiti edhe prezantuesen Alketa Vejsiu. /a.m/NOA.al