Transmetuar më 30-11-2020, 17:37

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë sot se qytetarët që do përdorin transportin publik nuk do paguajnë.

Kështu, për 1 muaj, të gjithë ata që do përdorin shërbimin urban në kryeqytet, nuk do paguajnë asnjë lek.

“Zbatimi i të gjitha rregullave dhe masave mbrojtëse kundër COVID-19 mbeten në fuqi dhe janë të obligueshme për secilin që udhëton me këta autobusë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm për mbrojtjen e shëndetit në kohë pandemie.

Postimi i Ahmetit:

Transporti Publik në autobusët e Trafikut Urban Falas në Prishtinë në Dhjetor!

Prej dhjetorit fillon të rritet ndotja e cila i ka disa shkaqe.  Çdo vit e potencojmë se për njërën pjesë nuk mund të bëjmë asgjë e ajo është pozita gjeografike si dhe aspektet klimatike të Prishtinës.  Por janë dy arsye të tjera të cilat lirojnë më shumë grimca e që pastaj për shkak të klimes mbesin më afër tokës.

Njëra është ngrohja me thëngjill, e për të cilën po punojmë që brenda pesë vitesh e gjithë Prishtina të jetë e kyçur në ngrohje qendrore që është e vetmja mënyre e qëndrueshme e largimit të thëngjillit.

Pjesa tjetër është trafiku.

Meqenëse tani jemi në pandemi, atëherë rreziku nga sëmundjet respiratore është i lartë.

Prandaj, kemi vendosur që muajin dhjetor i gjithë Transporti Publik në Prishtinë të jetë falas.  Kjo do të na kushtojë një pjesë të buxhetit por mendojmë se ja vlen.  Një anë e mirë e Covidit janë maskat që do të na mbrojnë edhe më shumë nga maskat.  Ndërsa apeli kryesor është i mos përdorimit të paneovjshëm të veturave.

Në mbledhjen e parafundit të Kuvendit Komunal, asambleistët e Partise Demokratike të Kosovës (PDK) kanë propozuar dhe ka kaluar rekomandimi për transport publik falas për 4 muajt në vijim.  Përkundër propozimit të mirë, vendime të tilla që afektojnë buxhetin nuk mund të merren pa ndryshur buxheti.  Sivjet mund ta bëjmë por për vitin 2021 nuk kemi buxhet të miratuar sepse Kuvendi i Republikës ende nuk e ka vendosur.  Por edhe në buxhetin që e kemi dërgu ne nuk është e paraparë. Prandaj pas dhjetorit do ta vlerësojmë situatën e re varësisht nga buxheti dhe nga situata financiare në përgjithësi.

Deri atëherë dhjetorin e kemi falas.  Por me rregulla të covidit për udhëtarët.