Transmetuar më 29-11-2020, 08:48

Sot, më  29 nëntori shënohet 76-vjetori i festës së Çlirimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane dhe gjermane.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacinal Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër pushtimit të Shqipërisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.

Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.

Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çlirua me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.

Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e kësaj feste, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, regjimi komunist ka falsifikuar historinë. /e.a/noa.al/