Transmetuar më 28-11-2020, 11:34

Me rastin e Ditës së Flamurit, Presidentit Rus Vladimir Putin i ka dërguar një telegram urimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ambasada Ruse në Tiranë ka ndarë edhe telegramet e urimit.

Sipas Ambasadës Ruse, me të njëjtin rast, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov i ka dërguar telegramin e urimit Kryeministrit, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Urimi i Putin për Metën:

"I nderuar zoti President,

Pranoni urimet e sinqerta me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë, Ditës së Flamurit.

Jam i bindur se zhvillimi i marrëdhënieve ruso-shqiptare do t`u përgjigjej interesave të popujve të vendeve tona dhe tërë kontinentit Evropian.

Ju uroj shëndet dhe suksese, ndërsa të gjithë bashkatdhetarëve Tuaj – lumturi dhe prosperitet.

Me respekt, Vladimir Putin"

Urimi i Lavrov për Ramën:

"I nderuar zoti Kryeministër,

Pranoni urimet e mia me rastin e festës kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Ditës së Flamurit.

Jam i bindur se aktivizimi i kontakteve midis ministrive të punëve të jashtme të vendeve tona do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare si edhe do t`i shërbejë përforcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe në mbarë Evropën.

Ju uroj suksese në punë, ndërsa popullit shqiptar – lumturi dhe prosperitet. Sergej Lavrov"

/a.m/NOA.al