Transmetuar më 27-11-2020, 20:41

Më shumë se 1,300 njerëzve gabimisht u wshtw thwnë se kanë Covid, për shkak të gabimit në testime dhe gjurmime.

Skandali është zbuluar në Britaninë e Madhe.

Departamenti i Shëndetësisë u ka kërkuar njerëzve që të ritestohen pasi qindra prej tyre iu anuluan testet Covid, pas një çështje që lidhej me një seri problemesh gjatë testimit.

Sipas mediave britanike, më shumë se 1,300 njerëz morën gabim përgjigjen se kishin koronavirus për shkak të një gabimi laboratorik me Testet dhe Gjurmimet që kryen Ministria e Shëndetësisë në Britani.

Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social (DHSC) tha se 1,311 njerëz që bënë testin midis periudhës 19-23 nëntor në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar u është dhënë gabimisht rezultati pozitiv.

Gabimi lidhej me një problem të kimikateve të testimit, që do të thotë se rezultatet bëhen të pavlefshme.

Një zëdhënës i DHSC tha se “po ndërmerret një veprim i shpejtë për të njoftuar të prekurit. Atyre do t’iu kërkohet të bëjnë një test tjetër, dhe të vazhdojnë të vetë-izolohen nëse kanë simptoma”.

“Ky gabim laboratorik ishte një incident i izoluar dhe po hetohet plotësisht për të siguruar që kjo të mos ndodhë më.”

Kohët e fundit sistemi i gjurmimit është kritikuar  rëndë në Britaninë e Madhe.

Kjo, pasi autoritetet nuk po arrijnë dot të gjejnë më shumë se dy deri në pesë kontakte të koronavirusit, pasi një person del pozitiv.

Nga 347,575 kontakte të ngushta të atyre që kanë rezultuar pozitiv në javën e fundit deri më 18 nëntor, vetëm 60.3% u arritën të zbuloheshin dhe iu tha që të izolonin.

Megjithatë rastet pozitive Covid-19 në Angli ranë 9% në javën e fundit, rënia e parë që nga vera. Këto gabime dhe pasaktësi që ndodhin në një prej vendeve më të zhvilluara në botë ngrenë pikëpyetje serioze mbi të dhënat e vendeve të tjera, sidoemos të atyre vendeve që kanë një histori të njohur me falsifikimet.   /a.m/NOA.al