Vendimi për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, reagon Safet Gjici pas “shuplakës” së Ramës: Ndjesë, u nxituam!
Transmetuar më 27-11-2020, 17:52

Ka ardhur edhe reagimi i kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, lidhur me vendimin e bashkisë që ai drejton për t’i hequr titullin “Qytetar Nderi” publicistit Veton Surroi.

“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së!”, tha Gjici, në reagimin e tij.

Gjici reagoi pas kritikave që adresoi kryeministri Edi Rama ndaj Bashkisë së Kukësit, lidhur me vendimin që mori sot Këshilli Bashkiak i këtij qyteti.

“Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale”, – tha në reagimin e tij, Safet Gjici.

Këshilli Bashkiak i Kukësit i hoqi sot titullin e nderit publicistit, titull që iu dha në vitin 2015, me argumentin se ai kishte kritikuar luftën e UÇK-së./a.m/NOA.al