Transmetuar më 27-11-2020, 16:36

Sipas shifrave që deklaron Ministria e Shëndetësisë, Fieri ndodhet në zonën e kuq, për rastet e shumta të infektimeve nga Covid-19, sidoemos gjatë dy muajve të fundit.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut në Fier thotë se numri i lartë i infektimeve lidhet direkt me mos respektimin e karantinës nga të infektuarit.

Besnik Brahimaj tha se qytetarët përfitojnë nga mungesa e tamponëve dhe megjithëse pjesë e zinxhirit të kontakteve, ata nuk izolohen madje shkojnë edhe në punë.

“Kjo tregon se karantinimi nuk po bëhet siç duhet. S’ka rëndësi tamponi, duhet ruajtur zinxhiri i kontakteve”, – thotë ai.

Sipas tij detyrimi për karantinim i personave të kontaktit me pacientin e infektuar nuk është sqaruar as nga Këshilli Teknik.

“Kjo është e keqja se edhe nga vetë Këshilli Teknik kjo nuk është sqaruar tamam”, thekson Brahimaj.

Brahimaj ka treguar eksperiencën e tij personale për ABC se, pasi kaloi koronavirusin.

Si pacient dhe si mjek ai  ka një porosi për qytetarët, të ruajnë qetësinë.

“Me ndihmën e doktoreshës arrita ta përballoj pa vështirësi të mëdha. Qytetarët të mos kalojnë në panik nga koronavirusi”, shton ai.

Fieri renditet pas Tiranës për numrin e lartë të infektimeve, por Brahimaj thotë se situata në këtë qytet është nën kontroll./a.m/NOA.al