Transmetuar më 27-11-2020, 13:24

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur sot programin e vaksinimit falas kundër gripit të stinës për të gjithë edukatoret dhe arsimtarët në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte sot në kopshtin 36 në Tiranë, ku u krye vaksinimi i stafit.

“U angazhuam që në krye të herës për të siguruar vaksinën ndaj gripit për grupet e rrezikut dhe arritëm që ta 4-fishonim sasinë e dozave të vaksinës për këtë vit, për të siguruar një barrierë më të mirë mbrojtëse për të gjithë grupet që rrezikojnë dhe sot nisim programin e vaksinimit në komunitet, pranë vendit të punës, për të gjithë edukatoret dhe arsimtarët në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër gripit në këtë periudhë të mbivendosjes edhe të virozave stinore, Manastirliu u shpreh.

“Edhe 230 mijë doza falas të vaksinës kundër gripit, që kanë mbërritur dy ditë më parë, janë shpërndarë në qendra shëndetësore, pjesë e sasisë prej 380 mijë vaksinash që qeveria i financoi falas, për të siguruar vaksinimin e sigurt të të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grupet e tjera të riskut, mes të cilave edhe një kategori e ndjeshme për ne, siç janë edukatoret dhe arsimtarët”, – tha Manastirliu.

Duke e konsideruar vaksinimin kundër gripit edhe një ushtrim të mirë parapërgatitor për vaksinën anti-Covid, Manastirliu theksoi se Shqipëria është në linjën e parë për ta patur vaksinën kundër COVID19 sapo ajo të dalë.

“Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën anti-COVID. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën antiCOVID për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. /e.a/noa.al/