Kushti i Trumpit për t’i “dorëzuar” Shtëpinë e Bardhë Joe Bidenit!
Transmetuar më 27-11-2020, 08:23

Presidenti ende në detyrë, Donald Trump deklaroi për herë të parë se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, nëse Joe Biden konfirmohet zyrtarisht si presidenti i ardhshëm i SHBA-së, duke marrë miratimin nga Kolegji Zgjedhor.

Kjo deklaratë e sjell më afër pranimit të humbjes, edhe pse Trump ka refuzuar të pranojë humbjen në votimin e 3 nëntorit, duke shtuar se do të ishte e vështirë për të, në rrethanat aktuale, ndërsa përsëriti pretendimet e pabazuara për mashtrim masiv të votuesve Trump nuk pranoi të thoshte nëse do të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Biden më 20 janar.

Presidenti Trump deri tani ka refuzuar të pranojë plotësisht humbjen, megjithëse javën e kaluar, me presionin në rritje nga radhët e republikanëve, ai ra dakord të lejonte zyrtarisht ekipin e Bidenit të fillonte procesin e tranzicionit.

I pyetur nëse do të largohej nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Biden, Trump tha: “Sigurisht që do ta bëj. Padyshim që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë. Por unë mendoj se do të ketë shumë gjëra që do të ndodhin nga tani deri në 20 janar. Shumë gjëra. Është zbuluar një mashtrim masiv. Jemi bërë si një vend i botës së tretë”.

Përpjekjet e Trump dhe të ndihmësve të tij për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore, ose me procese gjyqësore ose me presion ndaj ligjvënësve të shtetit, kanë dështuar dhe alternativat e tij po shterojnë.

Joe Biden i fitoi zgjedhjet me 306 vota të Kolegjit Elektoral, shumë më tepër sesa 270 që nevojiteshin, kundrejt 232 të fituara nga Presidenti Trump.

Tashmë, nuk mbetet gjë tjetër, veç se Trump të pranojë zyrtarisht humbjen dhe t’i urojë kundërshtarit të tij demokrat, fitoren në zgjedhje. /e.a/noa.al/