Transmetuar më 26-11-2020, 15:27

Korça njihet për serenatat e bukura, por edhe për historinë që shkroi klubi i Skënderbeut, në arenën ndërkombëtare.

Ndonëse pas dënimit ka humbur shkëlqimin e dekadës së fundit, tifozët e Skënderbeut vazhdojnë të mbeten në nivele të larta.

Sezonet e fundit, bardhekuqtë nuk janë në nivelet që ishim mësuar ta shihnim gjithmonë, mirëpo kjo pak rëndësi ka për Refit Rezhdën.

Nisur nga pandemia që ka “pushtuar” botën dhe ka mbyllur dyert e stadiumeve, tifozi special ka bërë “shpikjen” e tij: me shkallët në krah, është gjithmonë aty, për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës.

Dje, korçarët luajtën kundër Kastriotit, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të krutanëve.

Refiti ishte aty si gjithmonë me shkallët e tij, ndërsa në pemën ngjitur tij qëndronin disa tifozë të tjerë. Fati nuk ishte dje me Skënderbeun, por as me tifozin special i cili pësoi një incident.

Në momentin e golit të dytë, njëri nga mbështetësit që qëndronin në pemë, i kishte lëvizur shkallën padashur duke e rrëzuar nga 2 metra lartësi.

Refiti u dërgua në spital për të marrë ndihmën e specializuar, ku u ekzaminua se ka thyer kockën e krahut.

Edhe pse pësoi një incident të tillë, ai sërish nuk heq dorë nga skuadra e tij e zemrës. “Për djemtë jam gati të thyej kokën”, – thotë në një nga komentet, në rrjetet sociale.

Ndoshta shkallët s’i mban hë për hë vetë, por me siguri do ta gjejë mënyrën për të qenë sërish atje për t’i ndjekur. Edhe pas kthimit nga spitali, maska dhe rrobat e tij ishin me logon e Skënderbeut.

Refit Rezhda, është shembulli i një korçari të thjeshtë po me një zemër të madhe për ngjyrat bardhekuqe dhe presidenti Ardian Takaj, nuk kishte pse ta fshihte këtë gëzim./a.m/NOA.al