Masat anti-Covid, skenarët si do zhvillohet mësimi në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze
Transmetuar më 26-11-2020, 15:02

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka zbuluar sot skenarët në lidhje me zhvillimin e mësimit të kombinuar, me prani fizike të nxënësve dhe atij ‘online’.

Pas kërkesës nga ana e Komitetit të Ekspertëve që shkollat të bëhen në mënyrë të kombinuar në sistemin e arsimit parauniversitar, online dhe në klasa, ministrja Kushi, ka njoftuar se ky skenar i ri do të nisë më 1 dhjetor.

Në një deklaratë për shtyp, ajo ka treguar se maturantët do ta zhvillojnë mësimin në shkollë, sikundër edhe klasa e parë dhe e pestë.

Çdo të premte shkollat 9-vjeçare, klasa 6 – 9, do të raportojnë në zyrat arsimore lidhur me situatën dhe më pas do të merret vendimi për mënyrën si do të zhvillohet mësimi për javën tjetër.

MAS do marrë vendim dhe më pas do e përcjellë në drejtoritë arsimore dhe më pas tek drejtoritë e shkollave.

"Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;

Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:

– Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.

– Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.

Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.

Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online", tha ndër të tjera ministrja Kushi.