Transmetuar më 26-11-2020, 12:11

Nga Dubai, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në qytetin e Durrësit, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Me një video ‘live’ në Facebook, Rama tha se po ashtu është nënshkruar edhe një marrëveshje ndërqeveritare për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha emiratase në vendin tonë.

Rama theksoi se do të fillohet me Durrësin, ku investimi i parë i madh do të jetë transformimi i portit, në një nga më të bukurit dhe më të mëdhenje turistikë të Mesdheut. Shefi i qeverisë shpjegoi se mungesa e tij në Shqipëri një vit pas tërmetit tragjik është thjesht një rastësi.

“Rastësisa e desh që sot në një vjetorin e tragjedisë së tërmetit të jem këtu në Abu Dabi për firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve në Durrës. Ishte mirësia vëllazërore e një miku të çmuar të Princit të Kurorës Mohammed Bin Zayed, që në ato ditë të zymta më hapi dyert e shtëpisë së tij dhe më dëgjoi lutjet e mia, – u shpreh Rama. – Me Princin e Kurorës kemi dakordësuar përfshirjen e Emirateve për zhvillimin e Durrësit përmes investimeve direkte në projekte të mëdha në radhë të parë për turizmin, por jo vetëm".

Rama tregoi se Princi po "kthehet në një moment të dytë nevoje për popullin. Herën e parë ai u ul me një avion ndihmash në pistën e Kukësit, që i ati i tij ndërtoi me shpejtësi për të mbështetur viktimat e pastrimit etnik nga Kosova. Ai kthehet jo vetëm për të ndihmuar, por edhe për të na mbështetur në përpjekjet për Shqipërinë që duam përmes projekteve dhe investimeve afatgjata në vendin tonë", – theksoi kryeministri.

Udhëtimi i Edi Ramës drejt Abu Dabit, është komentuar nga ish-kryeministri Berisha, i cili ka thënë se arsyeja e vërtetë është se ai ka shkuar për të bërë vaksinën anti-Covid. /e.a/noa.al/