Transmetuar më 26-11-2020, 11:47

Një nga familjet më të goditura me humbje jete nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, është edhe ajo e Albert Carës nga Thumana e Fushë Krujës.

Kryefamiljari ishte i vetmi që i mbijetoi lëkundjeve të dhunshme të tokës një vit më parë, por brenda një nate, ai humbi tre fëmijët, gruan, të fejuarën e djalit, nusen e xhaxhait dhe mbesën. Ndërsa ka kujtuar momentet e tragjedisë, i përlotur, ai thotë se ata i kanë lënë një boshllëk të madh.

Cara tregon se priste të bëhej gjysh, pasi nusja e tij ishte 2 muajshe shtatzënë, ndërsa tha se tani nuk është më as baba.

“Atë natë ra i pari i lehtë nga ora 8 e darkës, Miri dhe nusja Stela ka ndenjur në kafe deri nga ora tre. Ajo që më ka ngelur pishman është pse u kthyen. Unë dola në koridor, kur ra tërmeti, nusja me djalin të përqafuar ishin në një kolonë, ndërsa dy fëmijët e vegjël nuk po ngriheshin dot në këmbë për shkak të lëkundjeve, – kujton për News 24. – Ka qenë tmerr, e kujtoj nuk e di sesi po e përballoj. O Zot thash, u luta. Dy të vegjlit më ikën para syve. Nga kati i pestë rashë në kat të parë. Gruaja më ka lënë sakat, e kisha shok kishim një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Kur mendova se arrita gjithçka m’u shkatërrua gjithçka. Do bëhesha gjysh, nusja ishte dy muajshe shtatzënë, por nuk jam as baba”, u shpreh ai.

Teksa familjarët e tij, gruaja dy djemtë, vajza, e fejuara e djalit, nusja e xhaxhait dhe mbesa e saj u përcollën për në banesën e fundit në Thumanë, i vetmi i mbijetuar i familjes Cara, Alberti, u nis me avion nga Rinasi për mjekim të specializuar në Itali.

55-vjeçari nga Thumana mori trajtim mjekësor dhe gjendja e tij u përmirësua me kalimin e ditëve, edhe pse u nxorr nga rrënojat pas disa orësh nga grupet e shpëtimit.

Alberti humbi bashkëshorten Fatmirën, vajzën Erisa, djemtë Hasan, Almirin dhe të fejuarën e tij Stela. Nën rrënoja mbetën të pajeta edhe Anthi Cara, nusja e xhaxhait të Albertit dhe mbesa e saj Sadajana.

Lindita Cara, vajza e xhaxhait të Albert Carës (nëna e Sadajanës) u shpëtua mrekullisht, teksa u nxorr e gjallë kur mund të kishte mbi 15 orë nën rrënoja. /e.a/noa.al/