Transmetuar më 26-11-2020, 11:03

Një ditë pas përplasjes së djeshme me armë zjarri në mes të qytetit në Elbasan, policia ka arrestuar dy persona të tjerë të shpallur në kërkim. Ndërkohë që një ditë më parë u arrestua në flagrancë Ervis Koçi (Çaushllari), i quajtur edhe si "Vis korçari" 28 vjeç.

Bëhet fjalë për Feliks Filjen dhe Ersi Cekanin, të dy nga 21 vjeç, të cilët dyshohet se ishin pjesë e grupit që shkëmbeu zjarr në mes të qyetit.

Cekani u arrestua nga policia për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.

Fillimisht, policia shpalli në kërkim 25-vjeçarin Migert Qosja, por pas hetimeve rezultoi se në ngjarje ishin përfshirë edhe dy të rinjtë e arrestuar sot. Mbeten ende në kërkim, Armand Ceveli edhe Migert Qosja, të dy të akuzuar për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Mesditën e djeshme, në rrugën “Emin Matraxhiu” pati një përplasje me armë, gjatë të cilës mbeti i plagosur Ervis Çaushllari, i njohur ndryshe edhe si "Vis korçari".

Policia njoftoi se pas të shtënave, ku edhe mori një plumb në shpatull, Çaushllari braktisi mjetin duke shkuar për t’u kuruar në spitalin e Traumës në Tiranë.

Ervis Koçi (Çaushllari), i njohur ndryshe edhe si “Vis korçari”, rezulton një emër i njohur për Policinë e Elbasanit, pasi ka qenë protagonist në disa ngjarje të ndodhura në qytet.

Ai nuk ka qenë kurrë i dënuar, por është shoqëruar disa herë në Komisariatin e Elbasanit. Çaushllari u padit në shkurt të këtij viti nga një qytetar, i cili pretendoi se Ervisi e kishte nxjerrë me dhunë nga makina dhe e kishte goditur me grusht.

Pas denoncimit, qytetari u shpreh për mediat se ishte kërcënuar nga një tjetër person, i afërt i autorit për ta tërhequr atë çfarë kishte thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore. /e.a/noa.al/