Transmetuar më 26-11-2020, 08:21

Një vit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, që mori jetën e 51 personave, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video-mesazh, ku kujton një nga periudhat më të errëta në historinë e Shqipërisë.

"Kanë qenë ditët më të çmendura të jetës sime, nuk mbaja mend as datat. Ka qenë një tmerr. I paharruar qoftë kujtimi i viktimave të tragjedisë një vit më parë. Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është përpara nesh", – thotë mes të tjerash ai në video-mesazh.

U zgjuam natën nga tundjet e shtëpisë, kujton kryeministri Ram, ishin një tmerr. “Menjëherë telefonatat. Durrësi keq. Aty ishte edhe epiqendra. Mbërrin makina dhe nisem direkt për Durrës. Gjatë gjithë rrugës flisja me kë mundesha, ministra, kryetarë bashkish, Laçi keq, Thumana shumë keq. Të gjithë ishin në këmbë për hir të së vërtetës. Se kishim provuar kurrë më parë diçka të tillë në jetën tone”, shprehet kryeministri.

Rama tha se i kishte çuar mesazhe, aty në makinë, në atë stres dhe në atë nxitim, disa nga shefave të qeverive, që i ndjente më afër në atë moment.

“Arrijmë në Durrës arritja ishte drithëruese, tek rrënojat e pallateve që kishin zënë poshtë banorët. Shoh përpara Edisonin, një ish-deputet tonin që kërkonte motrën bashkë me fëmijët. Një tmerr. E ndërkohë kisha një frikë, një frikë të çuditshme nga vetmia. Një ndjenjë vetmie se si dilet nga kjo situatë katastrofike për mijëra e mijëra njerëz. Kan qenë ditët dhe netët më të çmendura të jetës sime. Nuk mbaja më mend as datat pas dy apo tre ditësh. Ndërkohë kujtoj frikën e njerëzve dhe grumbullimet jashtë, natën turma-turma. Ato daljet me furi kur dikush shpërndante lajmin se po vjen prap tërmeti”, shprehet Rama.

Ankthi, thotë ai, ishte sa kampe mund të ngrinim me çadra, me kushte minimale për gjithë këtë milet. “E pamundur. Duke kaluar me makinë në rrugën e plazhit më lind ideja e hoteleve. E çfarë lehtësimi ishte për çdo familje që futej në autobus për të shkuar në hotel. Iku edhe një, iku edhe një, iku edhe një, Dhe ndërkohë hotelet mbusheshin e mbusheshin. Ju jam sinqerisht shumë mirënjohës të gjithë atyre që na ndihmuan, në radhë të parë atyre pronarëve të hoteleve që hapën dyert me stafet e tyre të përkushtuara”, u shpreh kryeministri.

Pastaj, vijon Rama, atyre që erdhën për të na ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit. “As vet se besoja që na u gjenden aq shumë miq, që Shqipëria pati aq shumë miq në atë moment aq të zymtë”, thekson kryeministri. Kryeministri kujton edhe suksesin e arritur në konferencën e donatorëve në Bruksel.

“Pastaj konferenca e madhe e Brukselit. Përgatiteshim, vara vingo rrugëve, sa në Durrës, Thumanë, Laç, Kavajë, sa në Golem, sa rrotull Tiranës dhe telefonata me miq të huaj, por frika kishte kaluar sepse u kuptua që gjërat po bëheshin të gjitha bashkë dhe po mblidheshin ashtu siç duhet të gjitha energjitë. Kukuvajkat në Shqipëri natyrisht nuk mungonin, por arritëm të mbledhim më shumë se 1 miliard euro në Bruksel dhe ishte një një çlirim shumë i madh, një krenari e madhe, ishte një mbështetje shumë e madhe, sepse që në atë moment Shqipëria nuk kishte me telash me financimin nga buxheti i vet dhe me daljen në tregjet kapitale, në radhë të parë. Ishte e mrekullueshme se si njerëzit në të gjithë Shqipërinë, në Kosovë, diasporë u bënë bashkë dhe se si më e keqja kaloi”, thotë ai.

Por Rama e sheh çdo krizë si një mundësi. “E dija që duhej me patjetër ta shndërronim këtë fatkeqësi në një fillim të ri të mbarë në një perspektivë të re për mijëra e mijëra familje, për fëmijët e tyre, por edhe për Shqipërinë. Një rast për të dalë më të forte, më të lidhur me njëri-tjetrin , qeveria me popullin, me të vetëdijshëm në fuqinë tonë. Dhe kështu po ndodh, hap pas hapi. Njerëzit kanë filluar të kthehen në shtëpi, gjithnjë e më shumë po hyjnë në shtëpitë e tyre të reja javë pas jave, muaj pas muaji. Fëmijët dhe mësuesit sapo kanë nisur të kthehen në shkolla fantastike, që as nuk krahasohen me ato që humbën atë natë. Sapo kanë nisur edhe pallatet e para. Do të bëjmë lagje të reja që do të jenë fantastike po aq fantastike sa shkollat e reja”, u shpreh Rama.

Njerëzit ankohen, shton ai,shpesh me të drejtë, sa shumë ka akoma për të bërë në çdo fushë, në çdo aspekt. “Unë vet nuk kënaqem, nuk kënaqem kurrë me punën time, skam se si. Shqipërinë e gjetëm tamam si ato pallatet që nuk ranë por mezi mbajnë. Por në këtë punë unë kam mësuar durimin. Duhet shumë durim. Punët e mira duan kohën e tyre dhe për t’i bërë mirë duhet shumë durim”, deklaroi Rama.

Bota, tha Rama, shumë e shumë kohë më parë i ka ngritur ato që ne shohim sot. “Ne kemi nevojë për kohë, që t’i bëjmë punët në të katër anët, njësoj si me rindërtimin edhe me ekonominë, edhe me shëndetësinë, edhe me arsimin, me infrastrukturën, me gjithçka që të ndërtojmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë. Na duhet vetëm, kohë dhe punë e durim sepse përkushtimi i madh nuk na mungon. Kjo mbase është pak, por shumë e sigurt”, tha Rama./

Mëngjesin e 26 nëntorit, rreth orës 03:56, qendra e vendit u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 ballë të shkallës rihter, i pasuar edhe nga lëkundje të tjera sizmike.

Edhe pse ka kaluar një vit, shumë njerëz janë ende me plagët e hapura, për familjarët që humbën apo shtëpitë e tyre që u shembën. Dy zonat më të prekura dhe me më shumë viktima kanë qenë Durrësi dhe Thumana.

Mbi 200 mijë persona u prekën direkt nga dëmet që la pas lëkundja e fortë sizmike. Shqipëria u kthye menjëherë në qendër të raportimeve të mediave botërore. /e.a/noa.al/