Transmetuar më 25-11-2020, 21:21

Skena dramatike janë parë sot, pas dënimit të shqiptuar nga Gjykata e Qarkut në Zyrih të Zvicrës ku një 53-vjeçare shqiptare nga Kosova, është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen në korridorin para sallës së gjyqit pas shqiptimit të vendimit ku u dënua me 8 vite e 6 muaj burg.

Ajo u desh të transportohej nga autoambulanca, shkruajnë gazetat zvicerane.

Ato i referohen gjykimit të çiftit tashmë të njohur kosovar nga Zyrihu, për tentativë vrasjeje me helmim dhe për abuzim me ndihma sociale.

Po ashtu, pas shqiptimit të dënimit, e bija e rritur e çiftit i ka thirrur kryetarit të trupit gjykues dhe e ka kërcënuar atë.

Një prani më e fortë e policisë se zakonisht është vërejtur sot në gjykatë.

Kjo, sepse javën e kaluar pas ditës së fundit të gjykimit para gjykatës kishte ndodhur një trazirë kur djali i rritur kishte ndjekur babanë e akuzuar.

Gjykata e shpalli fajtore gruan për tentativë vrasjeje me dashje dhe mashtrim të shërbimit të ndihmave sociale dhe e dënoi atë me tetë vjet e gjysmë burg, përcjell albinfo.ch.

E dënuara, gjithashtu duhet të largohet nga Zvicra për shtatë vjet. Prokuroria e cila e ngarkonte për veprën penale përpjekje për vrasje, kishte kërkuar për të dënim me burg prej 16 vjetësh. Është vërtetuar se e akuzuara kishte dashur të helmonte burrin e saj për arsye tradhëtie duke i dhënë një koktej ilaçesh dhe pastaj ta ngufaste atë, duke e lidhur me një kabllo karikimi.

“Ju jeni përpjekur të vrisni burrin tuaj sepse ishit xheloze për rivalen tuaj dhe donit të siguronit pasurinë e familjes”, i është drejtuar asaj kryetari i trupit gjykues.