Ngërçi i Kushtetueses / SHBA-BE, takim në KED një ditë para vendimit
Transmetuar më 25-11-2020, 15:09

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca, zhvilluan sot një takim me kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha për t’u njohur se në çfarë faze është procesi i vlerësimit të kandidaturave për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Vizita e dyfishtë në zyrën e Vitore Tushës vjen një ditë para mbledhjes së radhës të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku pritet renditja e emrave që do t’i dorëzohen për emërim Presidencës dhe Kuvendit.

“Së bashku me Ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca takuam sot kryetaren e KED-së, Vitore Tuasha për të rikonfirmuar afatet për emërimin e kandidatëve të kualifikuar në Gjykatën Kushtetuese. Mbledhja e ditës së nesërme, që do të vëzhgohet nga Parlamenti dhe Presidenca, duhet të shtyjë procesin më tutje, në mënyrë që Shqipëria të ketë një gjykatë funksionale para 31 dhjetorit”, shkroi përmes rrjeteve sociale, ambasadorja e SHBA.

Kim theksoi se afati 31 dhjetor nuk është vetëm për KED-në, por edhe për Presidentin Ilir Meta dhe Kuvendin e Shqipërisë. Përmes një mesazhi të dytë ajo u kërkoi të dyja institucioneve që të veprojnë me urgjencë, pasi KED të ketë kryer pjesën e vet të detyrës.

“Kur kjo të ndodhë, udhëheqësit, sidomos Ilir Meta dhe Gramoz Ruçi dhe kryetarja e KED, Tusha do të marrin meritat për veprimet e tyre urgjente në përëputhje me opinionin e Venecias dhe kërkesës së qytetarëve shqiptarë për reformën në drejtësi”, tha Kim.

Nga ana tjetër, po në Twitter, Soreca shprehet se Bashkimi Europian vijon të mbështesë reformën në drejtësi.

“Ajo na informoi mbi punën e Këshillit për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet nesër dhe është me rëndësi kritike që procesi të ecë përpara sipas rekomandimeve të Venecias”, tha Soreca. /e.a/noa.al/