Transmetuar më 25-11-2020, 13:55

Tërmeti i 26 nëntorit la pas shumë plagë dhe fëmijët ishin ata që e përjetuan akoma më shumë këtë ngjarje të rëndë. Gjithë përjetimet e tyre janë shfaqur së fundmi në një ekspozitë me piktura, të bëra vetë nga duart e fëmijëve.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) ka organizuar ekspozitën “Përtej rrënojave” me 180 punime të fëmijëve nga e gjithë Shqipëria që u prekën nga tërmeti shkatërrimtar. Nisma e CRCA-së filloi me pikturën e një djali të quajtur Ergi, i cili nisi të pikturonte gjatë kohës që qëndronte në çadër, pasi pallati i tij u shemb.

“Unë u mërzita shumë nga tërmeti që shkatërroi, jo s’më shkatërroi por më prishi pallatin tim dhe do ndërtohet prapë”, u shpreh vogëlushi.

Ndërkohë kreu i CRCA-së, Altin Hazizaj ka thënë se ky mision i qendrës ka nisur pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Bëhet fjalë për një premtim që CRCA ia ka bërë të gjithë fëmijëve të prekur nga tërmeti. Në mënyrë shumë rastësore në ditët sapo kishte ndodhur, në ditët e para të tërmetit. Fëmijët na kishin shkruar në Facebook dhe në rrjetet sociale. Na kanë dërguar punime të tyre dhe kanë shprehur sigurisht frikën. Ne vendosëm që në fakt të gjithë atyre fëmijëve që na kishin shkruar, pra në respekt të tyre dhe kuptohet në mbështetje të fëmijëve të cilët ne kemi punuar gjatë periudhës së post tërmetit. Ne kemi qenë në katër kampe dhe i kemi kërkuar fëmijëve që të na bëjnë dhuratë nga një pikturë”, ka thënë Hazizaj.

32 piktura të fëmijëve do të shiten në ankand dhe me paratë që do të mblidhen do të blihen tableta që fëmijët e prekur nga tërmeti të mësojnë online.

Kujtojmë se si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter humbën jetën 51 persona, mes tyre 18 fëmijë dhe të rinj. 913 persona të tjerë u plagosën, ndërsa mbi 200 mijë u prekën nga tërmeti dhe 17 mijë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre. Durrësi, Lezha, Laçi e Tirana, ishin qytetet më të prekura.

/S. H   /NOA.al