Transmetuar më 25-11-2020, 13:39

Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke zhvilluar një takim ‘online’ me disa mjekë dhe specialistë të shëndetit lidhur me situatën e pandemisë në vend.

Gjatë fjalës së tij, mjeku dhe ish-deputeti Petrit Vasili është shprehur se qeveria nuk ka marrë masat e duhura për parandalimin e infektimit.

Ndërkohë, mjeku i spitalit Covid-2, Arjan Mezini deklaroi se testimi masiv është shumë i rëndësishëm, pasi në këtë formë bluzat e bardha mund të përgatiten për një shifër të përafërt të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, pa qenë nevoja të presin në autoambulanca.

“Testimi masiv është shumë i rëndësishëm. Duke pasur një numër të qartë afër realitetit ne mund të përgatitemi për rastet që kanë nevojë për trajtim spitalor. Duke ditur numrat përcaktohen edhe kapacitetet. Jam për atë, që nëse ne dje kishim 800 raste, ne duhet të testojmë të paktën 8000 veta në ditë. Nuk mund të ketë shfajësim duke thënë se edhe vendet e tjera që kanë shumë testime i ka dalë pandemia jashtë kontrollit. Nuk i ka dalë jashtë kontrollit. Nuk mund të trajtohet pacienti në ambulancë. Është me sasi të limituar oksigjeni”, u shpreh Arjan Mezini.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe mjeku infeksionist, Arjan Harxhi, duke i bërë thirrje autoriteteve shëndetësore në vend që të rrisin testimet e shpejta dhe të gjurmohen rastet.

"Testet e shpejta në Shqipëri duhet të jenë pjesë e protokolleve të diagnozës në këtë situatë. Duhet të ketë një unifikim të testit dhe ilaçeve. Të hartohet një strategji e qartë. Është koha për t’i aplikuar, janë me kosto të ulët, sepse e këshillon edhe OBSH, – tha Harxhi në ndërjyrjen e tij ‘online’ – Duhet strategji dhe plane operacionale, nuk është një gjë që po e shpikim ne, e gjithë strategjia e ministrisë duhet të mbështetet në plane operacionale, sepse po flasim për vdekshmëri të lartë: duhet të bëjmë një analizë, pse kanë vdekur, si kanë vdekur".

Mjeku Harxhi theksoi se qeveria dhe MSH, duhet të caktojnë shtabe pune në nivel ministrie, operatori, apo në nivel rajoni, "këto shtabe duhet të koordinohen mes tyre", – shtoi ai. /e.a/noa.al/