Transmetuar më 25-11-2020, 13:10

Pak pas të shtëna me armë zjarri në Elbasan, zbulohet se cili ka qenë objektivi i atentatit të ndodhur sot në mesditë në afërsi  të stadiumit “Elbasan Arena”.

Sipas policisë mësohet se shënjestër e atentatit ka qenë Ervis Çausholli, i cili ka mundur t’i shpëtojë plumbave.

Blutë bëjnë me dije se ngjarja ndodhi në lagjen “Emin Matraxhiu” teksa u qëlllua me armë ndaj një makine që ishte në lëvizje.

Drejtuesi i saj e braktisi makinën fill pas të shtënave, ndërsa nuk ka njoftim për persona të plagosur nga spitali i Elbasanit.

Çausholli, i njohur ndryshe edhe si “korçari” është një emër mjaft i njohur për policinë në Elbasan, pasi rezulton të jetë i përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale në qytet. Mësohet se nga dy makina është qëlluar drejt një makine në lëvizje, ku ka qenë dhe objektivi i atentatit.

Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë okularë të atentatit të dështuar në zonën e stadiumit në Elbasan. Ata ndodheshin në skenën e ngjarjes kur ndodhën të shtënat me breshëri në drejtim të makinës tip “Mazda”.

Çausholli u padit në shkurt të këtij viti nga një qytetar për dhunë, pasi e ndaloi me makinë duke tentuar ta nxjerrë prej saj, ndërkohë që e goditi edhe me grushte.

Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Elbasanit dhe u kap nga disa kamera sigurie. Më pas, personi i dhunuar shkoi në polici për të bërë denoncimin.

Pas denoncimit, ai deklaroi për mediat se ishte kërcënuar nga një tjetër person, i afërt i Çaushollit për të tërhequr atë ç’ka kishte thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore. /e.a/noa.al/