Transmetuar më 25-11-2020, 12:37

Lufta kundër korrupsionit e SPAK-ut është një epope që po nis të shkruhet qysh tani.

Një dosje e rrezikshme që u hetua dhe u gjykua është ajo ndaj një qytetari që tentoi të t’i jepte një 1 mijë lekësh policit të Rrugores, pa e ditur se ai ishte me kamera në trup dhe do ta denonconte për korrupsion (po të mos kishte “veglat” nuk e dimë se si do të provokohej nga 1 mijë lekëshi).

Rigels Ymeri, është i pandehuri që është dënuar me 16 muaj qëndrim në shërbim prove, pasi është gjendur fajtor për akuzën e korruptimit, me 1000 lekë të një punonjësi policie.

Ymeri u ndalua në qytetin e Tiranës dhe më pas çështja penale kundër tij, u hetua nga një prokuror i SPAK-ut, për akuzën e “korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Fillimisht, Ymeri u dënua me 8 muaj burgim, por më pas ky dënim me burg është pezulluar nga Gjykata e Posaçme, duke e vënë të dënuarin në shërbim prove për një periudhë prej 16 muaj.

Këtu vjen pjesa më komike e SPAK-ut. Në vendimin e saj, Gjykata e posaçme nënvizon se:”…shuma e parave prej 1 000 lekë, sekuestruar të konfiskohen si mjet i kryerjes së veprës penale dhe kaluar buxhetit të shtetit…urdhërohet Prokuroria e Posaçme “Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” Tiranë, të ekzekutojë këtë vendim…”.

/S. H   /NOA.al