Transmetuar më 25-11-2020, 12:25

Sot në ditën ndërkombëtare të dhunës ndaj grave, Policia e Shtetit ka bërë një bilanc për viktimat që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.

Përmes një postimi, Ministria e Brendshme ka treguar se në vitin 2020 u vranë 6 gra, të cilat kishin qenë viktimë e dhunës.

Ndërkohë që 2098 gra të tjera iu janë drejtuar institucioneve për të kërkuar mbrojtje. Nga denoncimet në polici, janë arrestuar 532 dhunues të grave.

“Thyej heshtjen! Denonco dhunën! 6 gra nuk i mbijetuan dhunës gjatë vitit 2020. 2980 të tjera e denoncuan dhunën. 532 dhunues u arrestuan.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, ditë në të cilën nis edhe fushata e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Policia e Shtetit, si një ndër institucionet kryesore për parandalimin e dhunës dhe marrjen në mbrojte të personave të dhunuar, apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast dhune në Policinë e Shtetit, në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital.

Ne jemi të gatshëm çdo ditë, 24/7, në krah të personave të dhunuar, së bashku me të gjitha institucionet e tjera që kanë detyrimin ligjor për të parandaluar dhe trajtuar dhunën me bazë gjinore”, njofton policia.

/S. H   /NOA.al