PS kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor për raportin e Dick Marty-t
Transmetuar më 25-11-2020, 09:03

Një grup deputetësh nga mazhoranca, i kanë bërë një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për hetimin e raportit të Dick Marty-t, sidomos pas akuzave për krime lufte ndaj ish-luftëtarëve të UÇK në vitet 1998-1999.

Ky Komision do të ketë për qëllim hetimin e krimeve në disa zona të veriut të Shqipërisë, të quajtura burgje të UÇK-së, thuhet ndër të tjera në kërkesën që në krye mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla dhe 17 deputetëve të tjerë.

Në kërkesën e dorëzuar në Kuvend, thuhet se Komisioni do të hetojë edhe rolin e politikanëve shqiptarë në raportin e Dick Marty-y.

Propozimi i numrit 2 të socialistëve, erdhi për shkak të debatit që ka krijuar raporti i Dick Marty-t rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pretendimeve për ekzistencën në veri të Shqipërisë të burgjeve të UÇK.

Sipas mazhorancës, ky komision do të synojë mbledhjen dhe administrimin e dokumentacionit dhe në fund të punës së tij, Parlamenti shqiptar duhet të hartojë një projekt-rezolutë lidhur me çështjet e mësipërme. /e.a/noa.al/