Transmetuar më 25-11-2020, 08:47

Rrezikoi jetën e tij për ndërlikimet e shkaktuara nga infeksioni i koronavirusit, por puna e një ekipi mjekësor nga spitali pediatrik "Meyer" në Firence, i ka shpëtuar një 12-vjeçar.

Tani, pas 14 ditësh në kujdes intensiv dhe qëndrimit në pediatri, i vogli është kthyer në shtëpi. Lajmi u bë publik nga vetë spitali, duke shpjeguar se është hera e parë që mjekët e "Meyer"-it e gjejnë veten "duke u përballur me një rast të tillë kaq të rëndë".

Zakonisht virusi prek fëmijët dhe adoleshentët në një mënyrë më të butë. Në rastin e 12 vjeçarit, megjithatë, infeksioni ka shkaktuar një pamje shumë serioze inflamatore, e cila në terma teknikë përcaktohet si "Pims": një sindromë e inflamacionit multi-sistemik në lidhje me infeksionin Sars-CoV-2 të identifikuar në moshën pediatrike.

"Pims" është “një sindromë inflamatore, e shkaktuar nga një stuhi e vërtetë citokinash, proteina që rregullojnë përgjigjen imune të trupit dhe janë përgjegjëse për një nga ndërlikimet më të frikshme të këtij infeksioni, të gjitha të paparashikueshme dhe të papritura, edhe sepse pacienti nuk vuante nga ndonjë patologji e mëparshme”, shpjegon spitali,

12- vjeçari kishte mbërritur në spitalin pediatrik të Firences nga urgjenca e një spitali tjetër për shkak të një gjendjeje të rëndë të veshkave, që i bindi mjekët që po e trajtonin atë, ta transferonin urgjentisht.

Djali arriti në spital, "i vetëdijshëm, por përkeqësimi i gjendjes së tij ishte i papritur dhe shumë i shpejtë. Gjendja e tij u bë menjëherë shumë serioze, për shkak të problemeve në disa organe, që së pari kompromentonte funksionalitetin e veshkave, pastaj sistemin kardiovaskular, atë të mushkërive dhe sistemit gastrointestinal. Pacienti, i besuar në kujdesin e operatorëve të reanimacionit, u intubua".

Pacienti i vogël u ndoq, përveç specialistëve të kujdesit intensiv, nga një ekip mjekësor i përbërë nga specialistë të sëmundjeve infektive, reumatologë, kardiologë dhe nefrologë.

“Për ditë të tëra u frikësuam nga më e keqja, sepse gjendja e pacienti nuk tregonte shenja përmirësimi. Nuk ishte e lehtë të zhvillohej një terapi adekuate, gjithashtu për shkak të mungesës së një serie pediatrike mjaft të madhe për të siguruar indikacione të qarta dhe të sigurta për trajtimin që do të përvetësohet, – shpjegon spitali italian. – Në këtë kuptim, përkatësia në rrjetet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe krahasimi midis specialistëve të pediatrisë, të cilët ndanë njohuritë e tyre me përhapjen e epidemisë, ishin të dobishme. Në rastin e fëmijës, përdorimi i një ilaçi frenues “Interleukin-1”, i përdorur zakonisht në sëmundje të rënda autoimune, së bashku me terapi të tjera anti-inflamatore (imunoglobulinat dhe kortizoni) ishte efektiv“. Pikërisht, kjo kurë, i shpëtoi jetën të miturit në Itali /e.a/noa.al/