Ky është “ekipi” i Joe Bidenit që do drejtojë Amerikën pas 20 janarit
Transmetuar më 25-11-2020, 08:31

"Ky ekip demonstron se Amerika është kthyer dhe do të rifillojë punën me aleatët." Kjo është ajo që presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden tha kur prezantoi njerëzit  në administratën e tij që do të drejtojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke filluar me Sekretarin e Shtetit të ardhshëm, Anthony Blinken. "Ky nuk është një mandat i tretë i Obamës," siguroi Biden.

Tre javë pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, transferimi i pushtetit midis administratës në largim dhe ekipit të presidentit të zgjedhur, mund të fillojë përfundimisht. Drita jeshile për fillimin zyrtar të tranzicionit erdhi pasi Donald Trump u desh t’i dorëzohej provave dhe pamundësisë për të qenë në gjendje të përmbyste rezultatin e votimit përmes ofensivës së tij ligjore.

Sulmet e kryera në shtetet kryesore të fituara nga Biden deri më tani ishin të kota. Të fundit që vërtetojnë fitoren e ish-krahut të djathtë të Barack Obamas, janë Michigan, Pennsylvania dhe Nevada.

Zgjedhja e një figure të profilit shumë të lartë, si Janet Yellen për postin e sekretarit të Thesarit, gjithashtu shkaktoi "bujë" në SHBA.

Ish numri një i "Fed", i ka bërë apel investitorëve, jo vetëm për profesionalizmin e saj jashtëzakonisht të lartë, por edhe sepse konsiderohet personi i duhur në një kohë kur ekonomia duhet të rindizet me vëmendje të veçantë në tregun e punës dhe emergjencën e papunësisë. Ky është një aspekt që e bën atë të mirëpritur.

Ndërkohë, pas emërimit, Sekretari i Shtetit i ardhshëm, Anthony Blinken dhe Këshilltari i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë, Jake Sullivan, u prezantuan zyrtarisht nga Biden dhe zëvendësja e tij, Kamala Harris.

Ekipi gjithashtu përfshin Avril Haines, gruaja e parë që drejton shërbimet sekrete amerikane, Alejandro Mayorkas, hispaniku i parë që kryeson "Homeland Security", Linda Thomas Greenfield, ambasadorja e ardhshme amerikane në OKB dhe John Kerry, i cili do të marrë rolin e numrit një për mjedisin dhe klimën.

Kthimi i SHBA-ve në marrëveshjen e Parisit, përsëriti Biden, do të jetë një nga hapat e parë të administratës së tij të re.

Tani nuk ka më kohë për të humbur. Dita e inaugurimit në 20 janar është më pak se dy muaj larg dhe veprimi i tranzicionit i autorizuar nga shefja e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme, Emily Murphy, tani bën të mundur zhbllokimin e fondeve federale të nevojshme për të filluar koordinimin midis anëtarëve të ekipit të Biden dhe këshilltarëve nga Donald Trump dhe për të siguruar dorëzimin.

Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se Trump lejoi presidentin e zgjedhur Joe Biden të merrte konferencën e përditshme presidenciale të përgatitur nga komuniteti i inteligjencës së vendit.

"Tranzicioni ka filluar," zyrtarizoi Biden. "Ne tashmë jemi duke marrë pjesë në konferenca, ne tashmë  kemi takime pune me ekipin e Shtëpisë së Bardhë dhe ne po diskutojmë jo vetëm se si të shpërndajmë vaksinën anti-Covid, por si ta bëjmë atë të disponueshme për të gjithë," tha ai në një intervistë me NBC. /e.a/noa.al/