Transmetuar më 25-11-2020, 08:01

Myrto Uzuni bën Cristiano Ronaldon në Torino, duke shënuar jo vetëm një gol historik ndaj Juves, por duke festuar siç bën ylli portugez i bardhezinjve pas çdo goli të realizuar.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, pjesë e Ferencvarosit, realizoi në minutën e 19-të golin e parë të sfidës, pas një kundërsulmi të shpejtë të hungarezëve, i shërbyer nga krahu u djathtë nga Nguen.

24-vjeçari fitoi duelin me Cuadradon, duke e devijuar topin drejt rrjetës, me portierin Szczesny që e pati të pamundur t’i ndryshonte drejtimin.

Uzuni zgjodhi të festonte pikërisht si Cristiano Ronaldo, i cili 16 minuta më vonë shënoi golin e barazimit me një goditje të “thatë” nga jashtë zonës. Në kohën shtesë Morata realizoi golin e fitores për Juven.

Gjithsesi, një mbrëmje për t’u shënuar në kalendar nga futbollisti shqiptar, që deri pak vite më parë luante në Superiore, por falë përkushtimit dhe seriozitetin në punë u katapultua në futbollin e madh europian. /e.a/noa.al/