Transmetuar më 24-11-2020, 20:11

Shqiptari punonte kamarier në një lokal kokteji, derisa u bë një nga ‘kopshtarët’ më të mëdhenj të kanabisit në një qytet në Angli.

Kamarieri e ktheu ‘kopshtarin’ e kanabisit në Worcester, duke pretenduar se ai u detyrua nga bosët shqiptarë të drogës, të cilët bënë kërcënime ndaj familjes së tij për një borxh.

Klodjan Lici kujdesej për 57 bimët e mbjellura në shtëpinë e tij ku jetonte prej kohësh.

Fitimi i kakabisit shkonte deri në 42,000 paundë nëse do të shitej në rrugët e Worcester, por Lici do të kishte fituar shumë më pak pak.

24-vjeçari, i cili ka kaluar katër muajt e fundit në paraburgim, pranoi në gjykatë aktivitetin e paligjshëm.

Kur u arrestua në shtëpi, Lici i tha policisë se puna e tij kishte qenë të ujiste bimët çdo dy ditë dhe të rregullonte ndriçimin në mënyrë që ato të mos digjeshin.

“Ai nuk i korri bimët pasi ishte vetëm atje për t’u kujdesur për to" tha avokati i tij.

Lici u tha oficerëve se i detyrohej 16,000 paundë dikujt në Shqipëri.

Avokati i tha gjykatës se shqiptari duhej të paguante borxhet, prandaj nisi aktivitetin e paligjshëm. “Nëse ai nuk do t’ia kthente, familja e tij ndihej e kërcënuar.”

Avokati mbrojtës shtoi se klienti i tij nuk është ‘budalla’ por ‘i vjen keq për atë që ka bërë’.

Lici ka qenë në paraburgim që nga arrestimi i tij (katër muaj) të cilin ai i kërkoi gjykatësit të merrte parasysh. Ai më parë kishte punuar në lokale kokteji dhe restorante.

Vëllai i tij më i vogël, nëna dhe babai ende jetojnë në Shqipëri. Avokati tha se fitimet më të mëdha prej rritjes së kanabisit do të kishin shkuar diku tjetër, sesa në xhepat e të pandehurit.

Gjykatësi e dënoi atë me 18 muaj burg, si dhe pas daljes do të jetë në një izolim të mbikëqyrur elektronik gjashtë muaj çdo ditë nga ora 21:00 deri në 7 të mëngjesit.

Lici gjithashtu duhet të plotësojë 140 orë punë të detyrueshme./a.m/NOA.al